Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtari britanik që ndihmoi në zhvillimin e “Astra Zenecës”: Vaksinat për të gjithë çdo 4-6 muaj, nuk janë të nevojshme e as të përballueshme


Vaksinimi i të gjithëve në planet rregullisht kundër Covid-19 nuk është i qëndrueshëm e as i përballueshëm. Të paktën kështu thotë një shkencëtar vaksinash në Mbretërinë e Bashkuar.

Prof Sir Andrew Pollard, i cili ndihmoi në zhvillimin e vaksinës “AstraZeneca”, tha se në vend të kësaj duhet të identifikohen dhe t’u jepet përparësi më të rrezikuarve.

Ai tha se përhapja e vaksinës kishte shkuar “jashtëzakonisht mirë” në Mbretërinë e Bashkuar, por pjesët e tjera të botës po mbetën prapa.

Prof Pollard tha për programin “Today” të BBC Radio 4: “Nuk është me të vërtetë e përballueshme, e qëndrueshme e ndoshta as e nevojshme për të vaksinuar të gjithë në planet çdo katër deri në gjashtë muaj. Ne nuk kemi arritur as të vaksinojmë të gjithë në Afrikë me një dozë, kështu që sigurisht nuk do të arrijmë në një pikë ku dozat e katërta për të gjithë të jenë të menaxhueshme.”

Andrew Pollard

Pollard i cili është drejtor i Grupit të Vaksinave të Oksfordit tha se nuk ka “siguri të plotë” nëse një tjetër dozë përforcuese mund të nevojitet në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të ishte në një pozicion të mirë nëse variantet vazhdojnë të çojnë në sëmundje më të lehta, siç ka ndodhur me variantin Omicron.

“Ne mund të kemi nevojë të kemi një dozë përforcuese për të cenuarit në popullatë, por mendoj se ka shumë pak gjasa që ne të kemi programe që do të vazhdojnë rregullisht për të nxitur të gjithë mbi moshën 12 vjeç ta kryejnë atë.”- shtoi ai, citon BBC.

Prof Pollard tha se ata që do të kishin nevojë për dozë tjetër përforcuese ka të ngjarë të jenë të moshuarit ose ata me kushte shëndetësore.

Dozat përforcuese u janë ofruar të gjithë të rriturve të kualifikuar në Mbretërinë e Bashkuar. BBC shkruan se ka pasur një rritje të rasteve të variantit Omicron në Mbretërinë e Bashkuar, me 157 mijë e 758 raste të raportuara në Angli dhe në Skoci të hënën. Të dhënat për Uellsin dhe Irlandën e Veriut do të raportohen pas fundjavës së fundit të gjatë.

Por zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson tha se qeveria “nuk sheh asnjë të dhënë që sugjeron se kufizimet e mëtejshme do të ishin qasja e duhur” në Angli.