Prokuroria e Nju Jorkut ka njoftuar të martën mbylljen e hetimeve për mungesë provash ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo, i akuzuar për ngacmim seksual.
Siç shkruan “AP”, Cuomo nuk do të përballet me ndjekje penale për akuzat se ka ngacmuar një ndihmëse të tij, pasi prokurori David Soares tha se nuk mund ta provonte rastin.
“Ndërsa ne e gjetëm paditësen në këtë rast bashkëpunuese dhe të besueshme, pas shqyrtimit të të gjitha provave në dispozicion, ne kemi arritur në përfundimin se nuk mund të përballojmë barrën tonë në gjyq.”- tha Soares në një deklaratë, duke shtuar se ai ishte “thellësisht i shqetësuar” nga pretendimi.
Soares, i cili njihet për bindjet e tij të majta, nuk dha detaje se pse mendonte se do të ishte e vështirë të fitonte në gjykatë.
Në një letër drejtuar gjykatësit, ai tha se “elementet statutore të ligjit të Nju Jorkut e bëjnë këtë çështje të pamundur të provohet“. Ai shtoi se hetimet e shumta të qeverisë për sjelljen e Cuomo kishin krijuar “pengesa teknike dhe procedurale” në lidhje me detyrimet e prokurorëve për t’i zbuluar provat mbrojtjes.
Soares tha se zyra e tij kishte marrë në konsideratë akuza të tjera të mundshme penale, por asnjëra nuk përputhej me akuzat.
Kujtojmë se akuzat kundër Cuomo-s bazoheshin në pretendimet e Brittany Commisso, një prej ndihmësve ekzekutive të guvernatorit përpara se ai të jepte dorëheqjen pikërisht për shkak të akuzave për sjellje të pahijshme seksuale në muajin gusht.
Commisso thotë se Cuomo i futi duart nën bluzë dhe i kapi gjoksin kur ishin vetëm në një zyrë në rezidencën e guvernatorit në fund të vitit 2020. Akuza të cilat Cuomo i ka mohuar.