Vendosni fjalën kyçe....

Banka e “Wall Street” parashikon fundin e epokës së arit


Ari mund të humbasë së shpejti statusin e tij si rezerva valutore universale përballë Bitcoin-it, sipas Bankës Amerikane. Bitcoin mund të kapërcejë pjesën e tregut të arit në vitin 2022, ka thënë një analist i “Goldman Sachs” pasi kriptovalutat dhe asetet dixhitale rriten në çmim dhe tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e investitorëve.

Sipas një liste parashikimesh të vitit 2022 nga analisti i bankës “Zach Pandl”, Bitcoin “ka shumë gjasa” të fitojë një pjesë më të madhe në vitin e ardhshëm sesa 20%  që ka aktualisht, e cila u llogarit duke krahasuar kapitalizimin e tregut prej 700 miliardë dollarësh të kriptomonedhës me rreth 2.6 trilion dollarë arë në investime globale.

Nëse çmimi i Bitcoin kalon 100 mijë dollarë për monedhë, do të siguronte një pjesë të tregut prej 50%, thuhej në shënim.

“Bitcoin mund të ketë aplikime përtej thjesht si rezervë valutore dhe tregjet e aktiveve dixhitale janë shumë më të mëdha se Bitcoin – por ne mendojmë se krahasimi i kapitalizimit të tij të tregut me arin mund të ndihmojë në vendosjen e parametrave në rezultate të besueshme për kthimet e Bitcoin.”- shkroi Pandl, citon RT.

Sipas të dhënave të Coindesk, Bitcoin po tregtohej rreth 46 mijë e 456 dollarë rreth orës 14:00 të së mërkurës. Kriptomonedha më e madhe e globit sipas kapitalizimit të tregut pati një vit të ashpër në 2021-in, pasi ra në çmim nga rreth 60 mijë dollarë që ishte në prill në afërsisht 30 mijë dollarë në korrik. Më pas në nëntor arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej rreth 69 mijë dollarë.

Kripto-entuziastët dhe analistët e tregut janë optimistë për të ardhmen e kriptomonedhës, duke parashikuar se Bitcoin mund të arrijë çmimin e shumëpritur gjashtëshifror në vitin 2022.