Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Besnik Aliaj, ka bërë thirrje për tejkalimin e llogoreve ku janë rreshtuar Basha e Berisha dhe për rivendosjen e kanaleve të komunikimit sa më shpejt që të jetë e mundur.
I ftuar në emisionin ‘Mirëmëngjes’ në Euronews Albania, ai tha se komunikimi mes palëve megjithatë nuk duhet të jetë i fshehtë dhe as për pazarin e radhës por për ringritjen e partisë.
“Nuk është e rëndësishme çfarë do ndodhë sot apo me datë 8. Në këtë debat janë evidentuar dy palë. Ajo që po ndodh tregon që opozita e ka humbur fokusin. Ne kemi një energji që po shpenzohet në një betejë të brendshme në PD. Dikush mund të mendojë se kjo i shërben demokracisë së brendshme. Mendoj që ka nevojë për debat, po përtej këtij ‘debati’ ka nevojë për komunikim. Përplasja duhet të jetë idesh jo fizike. E shoh me skepticizëm gjuhën e ashpër e kërcënuese nga të dyja palët. Duhet urgjent një kanal komunikimi, jo për një pazar të radhës por për një front opozitar që del edhe përtej PD-së. Ajo që po ndodh është pjesë e një procesi të cilin ne e kemi të vështirë ta ndërpresim. Në fund të këtij procesi PD-ja do përballet me fakte të forta dhe ajo që shikoj në horizont janë zgjedhjet lokale e të përgjithshme. Ato do jenë testi e ballafaqimi do çojë në një rrudhje të opozitës.” – tha Aliaj.
Sipas tij, përplasja në PD ka nisur që në vitin 2017 dhe sot ka dalë në pah. Aliaj theksoi se vendimet e lidershipit të partisë askohë nuk kanë qenë aspak transparente.
Njëkohësisht ai bëri thirrje për afrimin në PD të figurave të tjera publike duke theksuar se situata në PD nuk është bipolare siç edhe duket, por tripolatre, duke thënë se ka një grupim të heshtur që ende nuk është strukturuar.
“Mendoj që përplasja ka nisur që në vitin 2017. Vendimet nga lidershipi i PD-së kanë jo transparente dhe këtu përfshihet zoti Basha, Berisha e shumë të tjerë në kryesi. Janë marrë në takime të mbyllura, në minutat e fundit. PD-ja duhet të hapej për figura të reja, tradicionale e të qëndrueshme po edhe figura të tjera jashtë partisë. Kam bërë thirrje herët për hapjen e partisë. Publiku u largua nga opozita e faktori ndërkombëtar nuk ishte shumë entuziast për ta mbështetur këtë gjë. Lidershipi i PDpsë bëri një gabim shumë të madh. Në përplasje ata shohin dy palë e janë rreshtuar në dy llogore. Por në PD situata është tripolare. Ka një grupim të heshtur, që tenton të bëhet shumicë e heshtur, do vijë ky moment shumë shpejt, për fat të keq ata nuk janë të organizuar e strukturuar. Partitë këtu janë trajtuar si pronë e lidershipit dhe pak kanë menduar ndryshe. Këshilli Kombëtar gjithë këtë kohë nuk ka qenë në lartësinë e duhur, nuk është mbledhur sa duhet e kjo ka sjellë heshtjen e grupimit të tretë. Zoti Kadilli është një nga personat që përfaqëson një grupim që po përpiqet të shprehë një ide përtej dy palëve. Ka qenë kritik ndaj të dyja palëve dhe ka shpalosur një program të tij.” – vijoi Aliaj.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, anëtari i Këshillit Kombëtar tha se qëndrimi i tanishëm ndaj administratës amerikane po edhe qëndrimet e shkuara janë servile dhe se për të ardhur në pushtet PD-ja duhet të jetë e unifikuar, pavarësisht mendimeve ndryshe brenda, të ketë një program qeverisës e të bindë qytetarët të mbështesin duke i përcaktuar si të vjetra idetë që janë artikuluar në dy Kuvendet respektive.
“Do ishte më e shëndetshme për PD-në të afroheshin njerëzit asnjanës, elektorati gri. PD-ja ke mbetur ende te debati i viteve ’90 dhe nuk arrin të shpalosë një program si në vitin 2005. Idetë që u shpalosën në dy Kuvendet janë të vjetra, koha i ka lënë prapa. Unë nuk kam marrë pjesë te asnjëri debat sepse nuk e ndjej veten mirë brenda këtij debati. Fraksionet janë gjë shumë e mirë, i kemi pasur por u zhdukën. Lidershpi krijoi një frymë mbytëse e nuk lejoi krijimin e një elite të partisë. Qëndrimi ndaj administratave amerikane që po përdoret është një lloj servilizmi. Kjo është utopi, që do vihet në pushtet duke ndjekur linjat ideologjike në SHBA. Duhet program, të bindim njerëzit. Sot flitet për sovranitetin por për cfarë sovraniteti flasim kur në vitin 2008, dy liderët kryesorë e tre ambasadorët ranë dakord për sistemin e votimit. Ne ua kemi dhuruar vetë sovranitetin të tjerëve, votuan 140 veta në rresht pa asnjë mendim ndryshe. Nuk është vonë që të vendosen ura komunikimi jo për pazarin e radhës por PD duhet të ngrihet përtej interesave të individëve të caktuar. Ky është një proces që i ka ndodhur PS-së atëherë kur preku fundin, për ironi të fatit dhe PD-ja duhet ta bëjë sa më shpejt. Në zgjedhjet e ardhshme duhet të shkohet me një qëndrim të unifikuar, me alternativa qeverisjeje dhe atëherë do kuptohet më së miri vlera e pesha e grupimit të tretë.” – theksoi Aliaj.
Në fund Aliaj tha se Basha e Berisha duhet të vetëlargohen nga kandidimi për kreun e partisë, duke e quajtur një veprim të tillë si tejet të shëndetshëm për garën dhe PD-në.
Sipas tij marrja e PD-ja nga Berisha do e izolonte partinë nga faktori ndërkombëtar po edhe nga një pjesë e shoqërisë ndërsa qëndrimi i Bashës në krye të saj do e rrudhte edhe më shumë.
“Bashën e Berishën nuk i përjashtojmë nga kandidimi, kanë të drejtën e tyre por mendoj se duhet të dalin mbi veten e ta tejkalojnë këtë moment. Kriza do zgjidhet edhe nëse ata do thonë nuk do e vijojmë ne këtë punë, ta marrin të tjerët në dorë. Kjo do ishte diçka shumë e shëndetshme që do i ndodhte PD-së. Ata duhet t’i hapin rrugë një elite të tretë në PD. Mendoj se marrja e PD-së nga secila palë nuk na çon në drejtimin e duhur. Marrja e PD-së nga foltorja do ishte një fakt po do çonte në një pozicionim që do mbante shoqëria e faktori ndërkombëtar. Marrja me forcë e selisë do çonte në një izolim të PD-së nga faktori ndërkombëtar. Nga ana tjetër edhe fraksioni i PD-së zyrtare po rrudhet. Të dyja rrugët në fund duken qorre. Rruga e vetme është ekslorimi i urave të komunikimit jo për pazarin e radhës, jo poër të vendosur nëse do jetë Basha apo Berisha në krye, ky duhet tejkaluar, po për të përcaktuar disa rregulla demokratike për të identifikuar e zgjedhur një lidership të ri. PD-ja nuk mund të radikalizohet por duhet të hapet e të trajtojë shqetësimet e publikut. Nuk do ndodhë hataja këto tre ditë, do ketë një tensionim po edhe një përpjekje për komunikim, uroj të mos jetë i fshehtë por i hapur për publikun.” – mbylli Aliaj.