Vendosni fjalën kyçe....

Çastet e sikletshme në PD, kur Noka dhe Tabaku i gjejnë dyert e kyçura në seli (VIDEOT)


Dyert e selisë së PD-së janë kyçur dhe askush nuk mund të futet dot brenda. Jo vetëm anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së që tentuan të futen sot, por edhe deputetja Jorida Tabaku sot ka patur një çast të sikletshëm.

Ajo ishte nisur për në seli kur ka gjetur derën e kyçur dhe është detyruar të ndalet për pak çaste.  Ajo ka nxjerrë telefonin, për të njoftuar dikë për praninë e saj në derën e jashtme të selisë, pastaj i është mundësuar hyrja.

Më vonë në selinë blu u paraqitën disa deputetë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së të cilët donin të bënin një mbledhje në seli, mirëpo njëlloj si Tabaku i gjetën të gjitha dyert të mbyllura.

Deputeti Flamur Noka provoi edhe një derë tjetër përveç derës kryesore, por përsëri ajo ishte e mbyllur. Ai e akuzoi kryetarin Lulzim Basha se e ka kthyer PD-në në një “burg të sgurisë së lartë”, por që sipas tij kjo gjë do të ndryshojë më 8 Janar duke thënë se selia do kthehet në “shtëpinë e lirisë”.

Ndryshe nga Tabaku, Noka nuk bëri asnjë telefonatë dhe pas një deklarate për shtyp u largua.

 

Selia blu thotë se po kryhen ende punime. Një ditë më parë, përfunduan ndryshimet në fasadën e PD-së, ku dritaret u mbuluan me logon e kësaj partie. Ish-Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi tha sot në një deklaratë për medie se hyrja nuk është e ndaluar për asnjë deputet dhe asnjë anëtar të PD-së, përveçse për trafikantët. Sipas tij Noka dhe të tjerët duhej të kishin telefonuar më parë administratën e PD-së për t’u futur në seli: “Nëse ti vjen tek dera ndërkohë që nuk njofton administratën e PD-së… Brenda PD-së janë duke u kryer punime që e bën aksesimin.  Por sigurisht siç unë marr në telefon kur futem në seli, siç nënkryetarët e partisë marrin administratën për të hyrë në seli, cilido që ka vërtetë dëshirë për të hyrë në seli për të punuar… Patjetër që lejohen pra, po jua përsëris. Është e lejuar të futet çdo deputet. E rëndësishme është të mos shoqërohen me trafikantë droge.

Grupi kriminal B9 nuk futet më në selinë qendrore të PD-së. Unë nuk thashë për deputetët. Unë thashë që çdo deputet, çdo anëtar i PD-së është i lirë të futet në selinë qendrore të PD-së, sikurse në çdo seli në të gjitha degët e PD-së. As është ndaluar, as ka për t’u ndaluar sa kohë që është anëtar i PD-së.”