Vendosni fjalën kyçe....

J.K. Rowling akuzohet për përdorimin e imazheve “anti-semitike” në filmat e “Harry Potter”-it


Duken se s’kanë të ndalur akuzat ndaj shkrimtares J.K.Rowling. Përveçse “transfobike” tanimë ajo është akuzuar se ka përdorur imazhe “anti-semite” në filmat e Harry Potter-it. Ish-prezantuesi i amerikan, Jon Stewart tha se autorja është “anti-semite”, duke pretenduar se personazhet e bankierëve goblin tek “Harry Potter” ngjajnë me karikaturat çifute.

Komediani pohoi se ishte “aq e çuditshme” sa njerëzit nuk e kishin kuptuar më parë dhe nuk kishin reaguar ndaj Rowling për përdorimin e imazheve “anti-semitike” në karakterizimin e bankierëve.

Stewart sugjeroi që goblinët që drejtojnë bankën e nëndheshme të Gringotts i ngjajnë një ilustrimi në një libër antisemitik të vitit 1903, të titulluar “Protokollet e Pleqve të Sionit”.

Në një monolog, prezantuesi dhe komediani amerikan nënkuptoi se ndoshta Rowling ishte në dijeni të veprës së vitit 1903 dhe kishte dashur të përfshinte imazhet “anti-semitike” në librin e saj për fëmijë.

“J.K. Rowling do ketë thënë: ‘A mund t’i bëjmë këta njerëz të drejtojnë bankën tonë?’ Është një botë magjike… ne mund të vëmë dragonj, një buf… por kush duhet ta drejtojë bankën? Hebrenjtë.”- tha ai, citon RT.

Stewart tha se ishte i befasuar që askush tjetër nuk e kishte menduar të njëjtën gjë kur i shikonte filmat.

Në fakt ish-prezantuesi televiziv nuk është personi i parë që krahason bankierët e Gringotts me veprat antisemitike. Autorja e fëmijëve Marianne Levy, duke shkruar për “Jewish Chronicle” në vitin 2019, pohoi se pamjet e ekranit të Gringotts nuk do të dukeshin të pavend në mesin e një serie filmash vizatimorë nga Der Sturmer i Gjermanisë naziste. Vetë Rowling është akuzuar për antisemitizëm në të kaluarën, pasi disa pretendojnë se bota e magjisë me gjak të pastër është frymëzuar qartë nga nazistët.