Kazakistani ka pasur një fillim të vështirë të vitit të ri, me protesta që u përhapën në të gjithë vendin.
Shkak për protestat e mëdha ishte rritja e çmimit të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) duke bërë që qytetarët të dalin masivisht në rrugë e të çojnë në dorëheqjen e qeverisë.
Çmimet e GLN-së janë dyfishuar brenda pak ditësh. Vendi është një nga dhjetë eksportuesit kryesorë të gazit dhe 20 më të mëdhenjtë në botë për sa i përket furnizimin me naftë.
Reforma në tregun e karburanteve
Rritja e çmimeve nuk erdhi nga hiçi, ishte rezultat i një reforme gjithëpërfshirëse të nisur në vitin 2019, kur Nur-Sulltan filloi një tranzicion në tregtinë elektronike të gazit të lëngshëm. Sasia e gazit të lëngshëm e tregtuar në këtë mënyrë është rritur në mënyrë të përshkallëzuar gjatë tre viteve të fundit, përpara se të arrijë në 100% më 1 janar.
Rritja e dyfishtë e çmimit të gazit të lëngshëm
Qeveria e vendit shpjegoi se mbajtja e kufirit të çmimit të karburantit që kishte ekzistuar në Kazakistan prej vitesh nuk ishte më ekonomikisht e realizueshme. Prodhuesit e gazit të lëngshëm u detyruan efektivisht ta shesin produktin me një çmim më të lirë se sa kushtonte për t’u prodhuar, me konsumin e GLN-së në rritje të vazhdueshme në vend gjatë viteve të fundit. Drejtimi i tregtisë së LPG-së në tregun e lirë bëri që çmimet të rriteshin dyfish brenda pak ditësh, duke arritur një çmim me shumicë prej rreth 78 tenge (0,18 dollarë) dhe një çmim me pakicë prej 100-120 tenge (0,23-0,28 dollarë)
Nisin protestat masive
Ndërsa rritja e çmimit ishte e pritur prej kohësh, ajo shkaktoi trazira masive. Çmimet vazhdimisht të ulëta e kanë kthyer LPG-në në një lloj karburanti jashtëzakonisht të popullarizuar, me shumë nga banorët e Kazakistanit që i konvertojnë automjetet e tyre për ta përdorur atë në vend të naftës tradicionale. Protestat nisën në Zhanaozen, një qytet që ndodhet në rajonin jugperëndimor të Mangystaut që prodhon naftë dhe gaz.
Protestat përhapen dhe kthehen në politike
Gjatë dy ditëve të fundit, trazirat u përhapën në rajone të tjera të Kazakistanit, duke përfshirë disa qytete të mëdha, si Almatin dhe kryeqytetin Nur-Sulltan (i njohur më parë si Astana). Protesta u bë gjithnjë e më politike, me kërkesat e demonstruesve që u rritën me shpejtësi nga rivendosja e kufijve të çmimit të karburantit dhe ulja e çmimeve të ushqimeve deri te dorëheqja e qeverisë së vendit.
Qeveria vendos kufijtë e çmimeve të LPG-së, por tregon forcë
Qeveria e Kazakistanit ka treguar një qasje të kombinuar për të shuar trazirat, duke sinjalizuar gatishmërinë e saj për të përmbushur disa nga kërkesat sociale dhe ekonomike të protestuesve. Presidenti i vendit Kassym-Jomart Tokayev tha se kufijtë e çmimeve do të rivendoseshin në rajonin Mangystau, ndërkohë që masa të ngjashme janë zbatuar tashmë nga autoritetet lokale në pjesë të tjera të Kazakistanit. Në të njëjtën kohë, qeveria dërgoi policë shtesë në qytetet që u mbërthyen nga trazirat dhe njësi që ngjanin me ushtrinë u vunë re në rrugët e Almaty. Trazirat kanë çuar në përleshje midis demonstruesve dhe forcave të rendit në shumë vende. Disa automjete policie janë djegur nga protestuesit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të shpërndarë turmat.
Presidenti shpall emergjencën dhe qeveria jep dorëheqjen
Mes tensioneve të përshkallëzuara, një gjendje e jashtëzakonshme dhe një shtetrrethim u shpallën në Almaty, si dhe në rajonin Mangystau. Të mërkurën në mëngjes presidenti Tokajev pranoi dorëheqjen e qeverisë ndërsa emëroi zëvendëskryeministrin Alikhan Smailov si kryeministër të përkohshëm deri në formimin e një kabineti të ri.