Vendosni fjalën kyçe....

Akuza për tradhëti të lartë, gjykata sekuestron pronat e ish-presidentit ukrainas Petro Poroshenko


Një gjykatë në Ukrainë ka ngrirë pronat e ish-presidentit Petro Poroshenko si pjesë e një hetimi zyrtar për tradhti të lartë. Siç shkruan Reuters, njoftimi u bë publik këtë të enjte nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurorët ukrainas kanë thënë se Poroshenko ishte i përfshirë në financimin e separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore në periudhën 2014-2015. Ai i mohon akuzat.

“Gjykata vendosi sekuestrimin e pasurisë së të dyshuarit, që i përket atij sipas së drejtës së pronësisë.”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Muajin e kaluar, prokurorët i kërkuan një gjykate ukrainase të arrestonte Poroshenkon me mundësinë e lirimit me kusht të caktuar në 1 miliard hryvnia (apo 37 milionë dollarë).

Poroshenko, një nga qytetarët më të pasur të Ukrainës, ka qenë jashtë vendit që nga fundi i dhjetorit dhe nuk e ka komentuar ende vendimin. Ai ka thënë se planifikon të kthehet në Ukrainë më 17 janar.

Aleatët e Poroshenkos thanë se sekuestrimi i aseteve ishte rezultat i hakmarrjes personale të Presidentit Volodymyr Zelenskiy.

“Një president i dobët … përdor ndjekjen manuale, hetimin manual dhe drejtësinë manuale për të ndëshkuar kundërshtarët.”– tha Volodymyr Ariev, një ligjvënës nga partia politike e Poroshenkos pas vendimit të gjykatës. “Ky vendim i paligjshëm e përkeqëson krizën politike në vend.”– tha Iryna Gerashchenko, një tjetër ligjvënëse nga partia e tij.