Tenistit numër një në botë, Novak Djokoviç i është ndaluar hyrja në Australi për shkak të një problemi me vizën e tij.
Tenisti serb arriti në Melburn të mërkurën, kur autoritetet vërejtën një gabim në aplikimin e tij për vizë.
Djokoviç ishte paraparë të luante në Grand Slam-in e parë për këtë vit në Australian Open, pasi u përjashtua nga rregulli për vaksinim kundër koronavirusit.
Atij i është thënë se do të dëbohet nga shteti, por avokatët e tij thanë se do ta apelojnë vendimin, raportuan mediat në Australi.
Tenisti është marrë në pyetje për orë të tëra në një dhomë në aeroportin e Melburnit, derisa autoritetet kanë hetuar vizën e tij dhe përjashtimin mjekësor.
Ekipi i tij nuk kishte bërë kërkesë për një vizë që lejonte përjashtim mjekësor për një person të pavaksinuar kundër COVID-19. Ende është e paqartë nëse ai do të qëndrojë në Australi derisa avokatët e tij të mundohen ta hedhin poshtë vendimin.
Djokoviç nuk ka treguar nëse është i vaksinuar ose jo, por vitin e kaluar ai tha se e “kundërshtoj vaksinimin.
Në deklaratë, Forca Kufitare australiane tha se Djokoviçit “ka dështuar që të ofrojë dëshmi të duhura për të vërtetuar se ai i plotësonte kushtet për të hyrë në Australi dhe se viza e tij më pas është anuluar”.
“Qytetarët që nuk janë shtetas australian, që nuk kanë vizë të vlefshme për të hyrë ose që vizat e tyre janë anuluar do të ndalohen dhe largohen nga Australia”, u tha në deklaratë.
Trajtimi ndaj tij ka nxitur zemërim në Serbi. Babai i Djokoviçit, Sërxhani tha se djali i tij po mbahej në një dhomë që po ruhej nga policët.
“Kjo nuk është luftë vetëm për Novakun, por është luftë për të gjithë botën”, tha ai përmes një deklarate për media.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se tenisti ishte viktimë e “ngacmimit” dhe se “e gjithë Serbia” e mbështetë atë.
Më herët, kryeministri australian, Scott Morrison tha se Djokoviçit do t’i ndalohet hyrja nëse ai nuk ofron dëshmi se nuk mund të vaksinohet kundër COVID-19 për shkaqe shëndetësore.
Australia po regjistron dhjetëra mijëra raste me COVID-19 dhe është një prej shteteve që ka vendosur disa prej masave më të ashpra kundër pandemisë. Mbi 90 për qind e popullsisë mbi 16 vjeç janë të vaksinuar plotësisht, por disa persona nuk mund të udhëtojnë brenda vendit për shkak të masave që aktualisht janë në fuqi.
Turneu Australian Open nis më 17 janar në Melburn.