Ish-kryeministri Sali Berisha i përcolli sot një mesazh kryeministrit Edi Rama, gjatë fjalës së tij në eventin e organizuar me rastin e 31-vjetorit të themelimit të PD-së së Fierit.
Ai i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga skenaret e thurura bashkë me Lulzim Bashën kundër demokratëve.
“Iu bëj thirrje demokratëve që të na bashkohen, se kjo nuk është një çështje karrigesh.
Më thonë që ku person është me probleme të shëndetit mendor, ju them që jo. Ky është person me çështje madhore të moralit njerëzor, është një peng i vërtetë, është peng i dosjes së Nick Muzinit, Toyota Yaris, i lidhur në afera biznesi në portin e Durrësit me vetë Edi Ramën.
Disa mesazhe kam marrë këto ditë, disa më thonë, ky njeri po të kishte qenë kryeministër do kishte blinduar ndërtesa.
Ky njeri kthehet dhe vendos dyer e blinda të reja në selinë e PD, e shndërron atë siç kanë qenë degët e punëve të brendshme të Enver Hoxhës, apo shpellat e grupeve terroriste nëpër botë.
Natyrisht një mesazh kam për Edi Ramën, hiq dorë nga skenaret e thurura bashkë me pengun tënd kundër demokratëve. Hiq dorë sepse absolutisht ne merremi njëlloj si me pengun dhe me pengmarrësin, ne nuk mposhtemi nga asgjë.
Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse shtëpinë tonë të uzurpuar, shtëpinë tonë të shndërruar në një burg të vërtetë, ku s’futet dot asnjëri prej jush. Ta shndërrojmë siç duhet të jetë, në shtëpinë e vërtetë të lirisë dhe demokratëve.”– tha Berisha.