Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi: 12 orë filmime treguan si u votua në referendumin e Berishës në lagjen e Bashës, manipuluan në mes të Tiranës


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për publikimin e pamjeve në medie që tregojnë sipas tij manipulimin e referendumit të ish-kryeministrit Sali Berisha në degën e PD-së në lagjen e Lulzim Bashës.

Para gazetarëve Bardhi u shpreh se në këtë degë numri i përgjithshëm i anëtarëve është 1200, por nga 12-orë filmime në vendin ku u zhvillua referendum, u pa të futeshin në qendrën e votimit vetëm 117 persona dhe jo 760 siç u deklarua nga Berisha.

Bardhi tha se është pikërisht Berisha ai që harton listat me emra, dhe voton vetë.

 “Secili prej jush gjatë këtyre ditëve ka dëgjuar nga Berisha dhe cilido që ka vendosur interesat e tij mbi ato të demokratëve, se u realizuar një referendum ku morëm pjesën 44 mijë anëtarë.

Në fakt institucionet e PD kanë zgjedhur që në nisje të kësaj farse, për të kamufluar interesin e halleve personale, që mos të merren me këto gjëra. Kjo ka qenë arsyeja që nuk jemi marrë kurrë me asnjë proces jolegjitim. Në degën ku rezulton i regjistruar dhe zoti Basha, u pa se ça ndodhi. Sot çdo shqiptar, çdo demokratë ka parë se si nga 117 anëtarë të PD, nga rreth 190 individë që kanë hyrë brenda ambienteve ku bëheshin votimi, rezultati u pa se kishin marrë pjesë më shumë anëtarë.

Në këtë degë secili prej jush mund të shihni 12 orë filmime, nga momenti i hapjes së derës deri te procesi i fundit, në këtë proces kanë marrë pjesë më pak se 10% e anëtarëve të kësaj pjesë dege.

Ky proces u realizua njësoj në të gjitha degët e partisë. Por kemi vendosur që të heshtim në funksion të demokratëve. Me një 5-fshim apo 6-fishim, ku Berisha harton vetë listat, vetë i jep fletët e votimit, dhe i numëron, kur ky proces është manipuluar në mes të Tiranës, imagjino se çfarë është bërë në degë të tjera të Shqipërisë.

Faktet e zbuluara vetëm në një nga degët e partisë e bëjnë të qartë faktin se shumica dërrmuese të demokratëve kanë zgjedhur të ardhmen. Berisha u demaskua. Në 31 vite politikë ai ka provuar se nuk vendos asgjë mbi interesin personal. Kjo tregon braktisjen dhe dëshpërimin që shtyn Berishën drejt thirrjes për dhunë dhe përplasjes mes demokratëve, duke i dhënë frymë pushtetit të Ramës.”- tha Bardhi.