Dy persona janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme të hollash dhe bizhuterish.
Në kërkim janë shpallur 36-vjeçari L.D. banuese në Tiranë dhe 26-vjeçarja Q.H. banuese në Peshkopi.
I riu dyshohet se pasi ka marrë informacion se kushërira e tij do udhëtonte nga Peshkopia drejt Tiranës ka bashkëpunuar me të dashurën e tij Q.H. dhe kanë mundur të marrin një valixhe me të holla që i përkiste shtetases K.Gj.
Gjatë aksionit janë sekuestruar 14 milionë lekë, 2770 euro, 340 stërlina dhe bizhuteri të ndryshme.
Njoftimi
“Zbardhet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e një shume të konsiderueshme parash dhe bizhuterish floriri.
Shpallen në kërkim dy autorët e vjedhjes.
Sekuestrohen 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe bizhuteri floriri.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në provat ligjore të grumbulluara, bënë shpalljen në kërkim të shtetasve:
– L. D., 36 vjeç banues në Tiranë, dhe Q. H., 26 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër.
36-vjeçari, pasi ka marrë informacion se kushërira e tij, shtetasja K. Gj., do të udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës, me një valixhe me para, në bashkëpunim me të dashurën e tij, shtetasen Q. H., ka organizuar vjedhjen e valixhes.
Shtetasja Q. H. është paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte shtetasja K. Gj. dhe pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe disa bizhuteri floriri.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.”