Zëdhënësja e Presidentit Joe Biden ka mohuar se qeveria amerikane qëndron pas protestave të dhunshme që kanë tronditur Kazakistanin këtë javë, duke pretenduar se ‘rusët’ kanë akuzuar në mënyrë të rreme Uashingtonin se ka shkaktuar trazira.
Shtëpia e Bardhë po monitoron protestat në Kazakistan dhe mbështet ‘thirrjet për qetësi, që protestuesit të shprehen në mënyrë paqësore dhe që autoritetet të ushtrojnë përmbajtje’, u tha gazetarëve Jen Psaki të mërkurën.
“Ka disa pretendime të çmendura ruse se SHBA qëndron pas kësaj, kështu që më lejoni të shfrytëzoj këtë mundësi për të përcjellë se kjo është absolutisht e rreme dhe qartazi një pjesë e librit standard të dezinformimit rus.” – tha ajo.
Psaki nuk specifikoi se kush në Rusi ka pretenduar një rol amerikan në trazirat e Kazakistanit. Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se po monitoron nga afër protestat dhe ka bërë thirrje për një zgjidhje paqësore. Kremlini ka paralajmëruar kundër ndërhyrjes së huaj në konflikt dhe tha se Kazakistani mund t’i trajtojë problemet e veta. Asnjëra nga deklaratat nuk përmendi SHBA-në.
Megjithatë, të mërkurën vonë, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev i kërkoi Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia (CSTO) ndihmë për stabilizimin e situatës, duke thënë se ‘terroristët e stërvitur nga të huajt’ po pushtonin objektet strategjike. Qeveria e tij shpalli një gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare.