Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë në Kazakistan mes trazirave e dorëheqjes së qeverisë, presidenti: Fuqi të huaja po nxisin kaosin (Video)


Raportime të të shtënave me armë kanë ardhur nga rrugët e qytetit më të madh të Kazakistanit, Almati. Të shtënat vijnë pasi qeveria ka nisur një operacion të cilin e ka cilësuar si kundërterrorist ndaj grupeve të stërvitura nga të huajt për të shkaktuar kaos në vend.

Operacioni nisi në orët e vona të së mërkurës, pak pasi presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev i cilësoi trazirat e vazhdueshme një ‘sulm terrorist’ ndaj vendit. Presidenti tha gjithashtu se ai ka kontaktuar Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia (CSTO) për ndihmë ushtarake për të kontrolluar situatën.

Pamjet që qarkullojnë në internet, që supozohet se janë xhiruar në Almaty, tregojnë një grup të madh ushtarakësh me pajisje të rënda duke ecur në mes të një rruge, me shpërthime të shumta që dëgjohe në prapaskenë. Një video tjetër tregon një rrugë të zbrazët me dy civilë që vrapojnë për t’u mbrojtur mes të shtënave të forta.

Ndërkohë, autoritetet e Almatit thanë për mediat se edhe pse trupat janë dërguar në qytet, ‘faza aktive’ e operacionit nuk do zhvillohet natën.

Almaty u pushtua nga protesta masive më herët të mërkurën, me ndërtesa të shumta qeveritare, duke përfshirë pallatin e vjetër presidencial, që u sulmuan dhe u dogjën. Aeroporti i qytetit u pushtua gjithashtu, me protestuesit që u futën brenda dhe plaçkitën dyqanet në zonën ‘duty free’ si dhe automatët e bankave. Megjithatë sipas raportimeve të fundit qendra kryesore e transportit thuhet se është rimarrë nga forcat ushtarake.

Skenat e plaçkitjeve të përhapura kanë ardhur nga qyteti më i madh i Kazakistanit, me shumë dyqane, banka dhe vende të tjera që janë plaçkitur.

Pak para fillimit të operacionit, Ministria e Brendshme e vendit dha një përditësim mbi viktimat midis forcave të rendit gjatë trazirave.

“Rreth 317 oficerë policie dhe anëtarë të Gardës Kombëtare u plagosën, tetë u vranë. Agjencitë e zbatimit të ligjit aktualisht po marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar një përshkallëzim të dhunës.” –  tha ministria në një deklaratë të raportuar nga mediat lokale.

Trazirat e vazhdueshme fillimisht u shkaktuan nga një rritje e mprehtë, dyfish e çmimeve të gazit të lëngshëm në fillim të vitit të ri, pasi qeveria njoftoi se nuk do të subvenciononte më karburantin e lirë të përdorur gjerësisht, duke e quajtur praktikën ekzistuese të paqëndrueshme. Megjithatë, protestat fillimisht paqësore dolën menjëherë jashtë kontrollit, duke u bërë gjithnjë e më politike dhe të dhunshme.