Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria amerikane me shtab në Shqipëri për operacionet speciale, Rama: Superlajm, kemi kohë që punojmë për këtë


Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA në Evropë ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion.

Ky lajm është bërë i ditur nga faqja zyrtare e SOCEUR në “Twitter”.

Lidhur me këtë ka reaguar përmes një videomesazhi në “Facebook: kryeministri Edi Rama i cili e quan këtë një lajm të mirë.

“Doli deklarata e Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA e cila operon për Europën dhe ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës së forcave operacionale speciale. Venddodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë një ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë. Qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Shqipëria mbetet një aleat i fortë në NATO i SHBA dhe ato gëzojnë një marrëdhënie të fortë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe qeverinë e Shqipërisë që e bën vendosjen e një shtabi një vendim të natyrshëm.

Pjesa më e rëndësishme është që sot kemi marrë një lajm fantastik që kemi disa kohë që punojmë, është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë dhe bashkëpunimi shuëm të afërt. Falenderoj publikisht që se kam me fort qejf por duhet bërë. Realisht Yuri Kim duhet falenderuar për lehtësimin që i ka bërë këtij ndërveprimi duke na mundësuar që të jemi në një komunikim më të lartë prej një kihe të qendrueshme dhe pse jo të gjatë.”-tha Rama i cili e shoqëron videon me diçiturën “Superlajm”.

Në deklaratën e Komandës së SHBA-ve për Operacionet Speciale në Europë thuhet se vendosja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Deklarata e plotë e Komandës së Operacioneve në Evropë

Shtutgart, Gjermani – Si pjesë e përpjekjejeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion. Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare.

“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”.

SOCEUR luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan dhe kjo përpjekje po kryhet me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe përfaqëson vlerësimin për profesionalizmin e ushtrisë shqiptare. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal.

SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme.