Çmimet globale të uraniumit janë rritur me pothuajse 8%, pasi Kazakistani, i cili përbën më shumë se 40% të prodhimit botëror, është përfshirë në kaosi e protestat e dhunshme antiqeveritare.
Të mërkurën, çmimet e uraniumit në tregun ndërkombëtar u rritën në 45,25 dollarë për paund nga 42 dollarë të regjistruar një ditë më parë, sipas të dhënave nga firma e hulumtimit dhe analizës së tregut të karburantit bërthamor UxC, e cituar nga Bloomberg.
Ndërkohë, aksionet në prodhuesin më të madh të vendit, Kazatomprom, raportohet se ranë 11% në tregtinë në Londër. Në të njëjtën kohë, shumica e kompanive të uraniumit në Amerikën e Veriut dhe Australi zgjeruan fitimet që shënuan në fillim të kësaj jave.
Një valë protestash të dhunshme kanë tronditur kombin e Azisë Qendrore që nga e diela, pas një rritjeje të mprehtë të kostos së gazit të lëngshëm që ndodhi për shkak të heqjes së kontrolleve të çmimeve nga ana e qeverisë.
Kazakistani është një nga fuqitë më të mëdha të energjisë në botë, duke qenë ndër eksportuesit kryesorë të naftës dhe në 20 vendet kryesore për eksportin e gazit.
Qeveria e saj ka subvencionuar gazin e lëngshëm të naftës për vite, por kohët e fundit njoftoi se mbajtja e çmimeve kaq të ulëta ishte bërë e paqëndrueshme. Heqja e subvencioneve në mënyrë të pashmangshme bëri që kostoja të dyfishohej brenda pak ditësh.