Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja do dëmshpërblejë 200,000 fëmijë indigjenë, do paguajë shumën rekord prej 31 miliardë dollarësh


Qeveria kanadeze ka arritur një marrëveshje prej 31 miliardë dollarësh për të kompensuar fëmijët dhe familjet indigjene të dëmtuara nga ‘diskriminimi’ i sistemit të mirëqenies së fëmijëve.

Dy marrëveshje në parim, që kanë të bëjnë me kompensimin për më shumë se 200,000 fëmijë të prekur që datojnë që nga viti 1991, përfaqësojnë ‘zgjidhjen më të madhe në historinë kanadeze’, tha ministri i Marrëdhënieve Indigjene, Marc Miller.

Duke vënë në dukje se ‘padrejtësitë historike kërkojnë dëmshpërblime historike’, Miller tha se ‘asnjë shumë parash nuk mund të kthejë dëmet e përjetuara’ dhe i përshkroi marrëveshjet si një pranim se qeveritë e njëpasnjëshme kishin dështuar me politikat për fëmijët indigjenë.

Pasi të përmbyllet, marrëveshja do të përfundojë një betejë të gjatë ligjore, e cila filloi në 2007 me një ankesë nga Shoqata e Kujdesit për Fëmijët dhe Familjen në Gjykatën Kanadeze të të Drejtave të Njeriut (CHRT). Në vitin 2016, gjykata vendosi që Otava kishte nënfinancuar shërbimet për fëmijët indigjenë në krahasim me ato për fëmijët joindigjenë.

Qeveria kanadeze apeloi verdiktin e CHRT, i cili e urdhëroi atë të paguante kompensim në vlerë prej 40,000 dollarësh kanadezë (31,455 dollarë amerikanë) për çdo fëmijë indigjen që ishte hequr nga familja përmes sistemit ose ishte detyruar të largohej nga shtëpia.

Pasi humbi atë apel vitin e kaluar, qeveria hyri në negociata me grupet indigjene në vend që ta çonte çështjen në Gjykatën e Lartë. Diskutimet përfunduan në natën e Vitit të Ri. Ministri i Drejtësisë David Lametti tha se qeveria do të tërheqë ankesat e saj pasi të përmbyllen marrëveshjet.