Policia gjermane ka tërhequr qentë e stërvitur nga detyrat pasi një ligj i ri për të drejtat e kafshëve ndaloi metodat e përdorura për të stërvitur dhe kontrolluar qentë kur kapnin kriminelët.
Pas një ligji që hyri në fuqi më 1 janar, qentë e policisë në Gjermani u vendosën në një pushim të detyrueshëm. Ligji, i prezantuar nga ish-ministrja e Bujqësisë Julia Klockner, ndalon përdorimin e stimujve ndëshkues për të stërvitur ose kontrolluar qentë.
“Tani për tani nuk jemi në gjendje të vendosim një pjesë të qenve tanë të shërbimit për shkak të ndryshimeve në aktin e mbrojtjes së kafshëve.” – tha zëdhënësi i policisë Thilo Cablitz, cituar nga ‘The Guardian’.
Policia tha se rreth 49 qen do të pezullohen nga detyra deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Kafshët ishin pjesë e një kontigjenti qensh prej 130 trupash, i cili përdoret për një gamë të gjerë operacionesh, duke përfshirë kapjen e drogës, arrestimet dhe gjetjen e personave të zhdukur.
Zona e mosmarrëveshjes është rreth përdorimit të të ashtuquajturave ‘jaka tërheqëse’ nga mbajtësit e qenve, të cilat përdoren për të kontrolluar agresionin e qenve të policisë gjatë operacioneve.