Policia e Shkodrës njofton se ka identifikuar një nga autorët e dyshuar të plagosjes së Viçenc Pirolit në datën 3 janar në Shkodër.
Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim shtetasin Arjon Beqiri i cili ka marrë me qira makinën që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Makina tip “BMW X5” është sekuestruar nga blutë e Shkodrës.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në lagjen “Bahaçallëk”, Shkodër, ku mbeti i plagosur me armë zjarri, shtetasi V. P.
Si rezultat i punës hetimore është identifikuar dhe shpallur në kërkim njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjes.
Sekuestrohet mjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi hetimor i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, DVP Lezhë dhe DVP Durrës, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “BMË X5” që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në Shkodër, ku persona ende të paidentifikuar plagosën me armë zjarri shtetasin V. P., 34 vjeç.
Gjatë kontrollit të territorit, bazuar në informacionet e grumbulluara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e këtij automjeti, i cili ishte braktisur në rrugën ‘’Hodo Beg Sokoli’’, Shkodër. Ky automjet është marrë me qira nga shtetasi A. B., 23 vjeç, më datë 03.01.2022, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit.
Në vijim të veprimeve hetimore është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A.B., 23 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.
Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 05.01.2022 janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, edhe shtetasit: V. P., 34 vjeç dhe M. M., 29 vjeç, i cili ka transportuar 34-vjeçarin në spital, por nuk ka njoftuar Policinë dhe nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.