Vendosni fjalën kyçe....

3-vjeçari u mbyt aksidentalisht në kopshtin privat në Fier, arrestohet edukatorja


Arrestohet edukatorja e kopshtit privat në Fier ku dyshohet se u mbyt aksidentalisht një fëmijë 3-vjeçar një ditë më parë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, arrestuan shtetasen R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikëqyrjen e kësaj shtetaseje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”- njofton policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten në një kopsht privat, ku fëmija 3-vjeç sipas dëshmisë së edukatores dyshohet se ka mbetur i varur me xhupin e kapuçit në varësen e rrobave, ndërsa po përpiqej të merrte aty çantën e tij dhe si pasojë është mbytur.

Daja i fëmijës së mitur foli dje për mediet, duke kërkuar drejtësi nga autoritetet: “E kemi çuar në mëngjes djalin në kopsht, për të edukuar… më morën në telefon e më thanë hajde se djalin e keni keq, aty takuam doktorin, që ishte munduar të kthente djalin në jetë, ai më shpjegoi, më tha djali ka ardhur aty i pajetë, ne i bëmë të gjitha këto dhe djalin nuk e shpëtuam dot, më thanë që kishte një shenjë në grykë, për këtë duam drejtësi.”