Vendosni fjalën kyçe....

Berisha sot protestë, Basha thërret një mbledhje për miratimin e vendimeve të Kuvendit të 18 Dhjetorit


Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur këtë të shtunë një protestë para selisë blu kundër Lulzim Bashës, të cilit i kërkon të largohet bashkë me lidershpin.

Protesta e thirrur prej Berishës do të mbahet sot në orën 12:00 para selisë së PD-së, por në të njëjtën kohë, kryedemokrati Lulzim Basha ka thirrur një mbledhje të Kolegjit të Kryetarëve të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë. Kjo mesa duket do të jetë mënyra që Basha ka zgjedhur ta sfidojë protestën e Berishës.

Mbledhja nis në orën 11:00 ndërsa vetë Basha ka hyrë në seli që prej orës 08:30.

Sipas njoftimit të Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do t’i nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po sot.

“Të nderuar Kryetarë,
Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do t’i nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë.”- thuhet në mesazhin dërguar kryetarëve të degëve.

Protesta e sotme vjen pas afatit të 5 Janarit që Berisha i kishte lënë Bashës për të liruar selinë, gjë e cila nuk ndodhi. Më pas Berisha u shpreh se më 8 Janar do të shkojnë në seli në protestë për të hapur dyert e “shtëpisë së demokratëve”./Hashtag.al