Vendosni fjalën kyçe....

Franca mund të përballet me rritje të çmimit të energjisë elektrike me 40% deri në shkurt


Autoritetet franceze po punojnë për masa të mëtejshme për të frenuar çmimet e larta të energjisë, tha ministri i Financave të vendit, duke lëshuar një paralajmërim për pasojat politike përpara zgjedhjeve presidenciale.

“Shikoni se çfarë po ndodh në Kazakistan, është mjaft treguese se çfarë mund të ndodhë kur çmimet e energjisë shpërthejnë, është politikisht e rrezikshme.” – tha Bruno Le Maire të premten.

“Nëse nuk gjejmë zgjidhje për çmimet e energjisë elektrike në ditët në vijim, francezët do të shohin në fund të janarit një rritje prej 35-40%.” – shtoi ai.

Thirrja vjen në mes të një krize energjetike evropiane që është thelluar gjatë muajve të fundit me çmimet e energjisë në të gjithë kontinentin duke u rritur në nivele të papara më parë. Në fillim të kësaj jave, çmimi i gazit në muajin e parë në qendrën holandeze TTF, një pikë referimi evropian për tregtimin e gazit natyror, ishte rreth 5% më i lartë me çmimin që arriti në 93.30 euro për megavat-orë.

Në Francë, çmimet e energjisë janë shpesh një temë e ndjeshme. Qeveria e vendit u përball me muaj të tërë protestash të dhunshme në rrugë pas rritjes së taksës së karburantit në vitin 2018. Mitingjet madje u shndërruan në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare.

Në vazhdën e rritjes së gjerë të çmimeve të energjisë, Parisi u angazhua për të mbrojtur familjet duke kufizuar një rritje të tarifave të rregulluara për vitin 2022 në vetëm 4% në shkurt. Megjithatë, çmimet po rriten dhe ulja e taksave për kostot e energjisë që supozohej të kufizonte rritjen nuk është më e mjaftueshme.