Vendosni fjalën kyçe....

“Po rrezikohet jeta e dhjetëra demokratëve” – Policia e Shtetit i përgjigjet thirrjes për ndihmë nga selia: Jemi gati të ndërhyjmë


Partia Demokratike ka reaguar përmes një njoftimi për mediet lidhur me incidentet e ndodhura në selinë blu.

Në këtë reagim thuhet se ish-kryeministri Sali Berisha po rrezikon jetët e dhjetëra demokratëve dhe kërkoi ndërhyrjen nga Policia.

“Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme! Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojne godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë..

Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese!

I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë për të shmangur viktimat e dhunës së Sali Berishës mes demokratëve!”- thuhet në njoftimin e PD-së.

Polica e Shtetit iu përgjigj kësaj thirrjeje nga selia, dhe publikoi një njoftim ku thuhej se ishte gati për ndërhyrje.

“Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se:

Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.

Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të  përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin.”– njoftoi policia.