Policia e Shtetit ka reaguar sërish përmes një deklarate në lidhje me protestën që u zhvillua sot para selisë së PD-së.
Në njoftimin për mediet, Policia thotë se ka nisur veprimet procedurale, në selinë e PD-së për këqyrjen e çdo ambienti ku ndodhën incidentet e dhunës.
Policia thotë se po mblidhen provat dhe po punohet për identifikimin dhe vënien para drejtësisë së autorëve të episodeve të dhunshme.
“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.
Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.
Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.
Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.