Rreth 15 automjete policie kanë zbarkuar pak para protestës së thirrur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha në pjesën e njohur si zona e Akademia e Shkencave, në krah të Parlamentit.
Sipas televizionit “News 24”, përveç këtyre mjeteve janë 3 autobote me ujë dhe një autoblindë i Forcave Speciale, RENEA, për t’iu paraprirë çdo situate të mundshme gjatë protestës së thirrur sot në orën 12:00 në selinë blu.
Ndërhyrja do të bëhet vetëm në raste të nevojshme dhe do të qëndrohet në gatishmëri.
Këto janë masa normale që merren për çdo lloj protestë, ndërsa nuk vihen re të ketë masa të shtuara si snajperistë në tarraca apo të tjera si këto.
Kampi i mbështetësve të Berishës kanë thënë se protesta do të jetë paqësore e ndërsa nga ana tjetër PD-ja zyrtare flet për skenare dhune me kriminelë.
Ndërkohë që mbështetësit e Berishës janë nisur nga rrethet për në Tiranë, selia e PD-së është mbushur në oborr me makina të parkuara, Basha ndodhet në seli, ku po zhvillon një mbledhje me Kolegjin e Kryetarëve të PD-së.