Sekretari për pushtetin vendor në PD, Roland Bejko mbërriti pak momente më parë në selinë blu për të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, mirëpo është përzënë nga një grup mbështetësisht të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Bejko ka tentuar të largohet, ai është mbrojtur nga disa persona dhe është nisur drejt krahut të majtë të ndërtesës, por nuk ka mundur të depërtojë pasi në krah të tij kishte mbështetës të Berishës dhe për pasojë dera nuk është hapur për të.
Ata i bërtasnin Bejkos “jashtë spiun”, “hajdut” e të tjera fyerje. Më pas ai është larguar duke dalë edhe nga rrethimi i oborrit të selisë.
Pasi u shty dhe u përzu nga selia blu nga mbështetës të ish-kryeministrit Berisha, Bejko ka mbajtur një fjalë të shkurtër për gazetarët.
Ai tha se kjo që ka ndodhur sot, ka ndodhur vetëm në vitin 1991. Ai i bëri thirrje Berishës të mbajë njerëzit nën kontroll.
“Unë erdha aty brenda në seli. Më lini se jam në shtëpinë time…
Kjo që po shihni ju tani ka ndodhur edhe në shkurt të 91-shit. Në shkurt të 1991 ishte protesta e studentëve, unë kam qenë drejtues, ishim duke organizuar protestën kundër Enver Hoxhës, aty na ka ardhur turma e Enveristëve e na ka shkelu me këmbë.
Ne luftuam për demokraci dhe shikoni si manifestohet sot nga këta. Sot marrim këta shembuj, ky është produkt i Sali Berishës dhe paaftësi e elitës së PD që e kanë lënë partinë në këtë pikë. Erdha për t’u futur në seli dhe u ndesha me këtë reagim. I them Berishës të mbajë njerëzit në kontroll sepse këtë që më bënë mua këta sot, na e ka bërë vetëm Enver Hoxha në 1991 në Gjirokastër.
Këtë e bëjnë sot këta që unë kam ftuar 30 vite për demokraci. Nuk kanë faj këta, faj ka ai që i ka sjellë këtu që të vriten demokratët. Më qëlluan nga pas njerëz që i kam mbajtur me bukë, ky është fundi.”– tha Bejko i cili kishte tentuar të fliste edhe pak më parë, por nuk u lejua nga protestuesit e mbledhur në selinë e PD-së.
Ka reaguar edhe selia e PD-së pas sulmit që iu bë pak më parë Bejkos nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Dhuna e mercenarëve të Sali Berishës ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD Roland Bejko, është fytyra e Sali Berishës, që frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune. E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, nje demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës, vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD.”– thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PD-së.
Nënkryetari i PD-së Enkelejd Alibeaj ka reaguar gjithashtu në rrjetet sociale, ku shprehet se incidenti ka ndodhur për shkak se Berisha ka nxitur demokratët të përplasen me njëri-tjetrin: “Sali Berisha do dhunë dhe gjak. Nxit demokratët të përplasen me njëri tjetrin dhe vetë është fshehur. Turp! Kjo është fytyra e vërtetë e Sali Berishës. Të dhunojë këdo që nuk mendon si ai!”/Hashtag.al