Ish-kryeministri Sali Berisha një ditë pas protestës ka denoncuar se gjatë natës janë bërë lista dhe janë arrestuar e ndaluar demokratë, që sipas tij, nuk kanë kryer asnjë lloj akti dhune.
Gjatë fjalës së tij, Berisha është zotuar jashtë selisë së Partisë Demokratike se asgjë nuk do ta pengojë dhe ndalojë në vazhdimin e kësaj beteje.
“Erdha këtu për t’u zotuar se asgjë nuk mund të pengojë dhe ndalojë konsolidimin e pluralizimit politik në Shqipëri. Asgjë nuk do të mund të ndalojë mbizotërimin e vullnetit të shumicës në këtë vend.
Asgjë nuk mund të pengojë këtë revolucion paqësor në realizimin e objektivave historike të tij. Gjithashtu, dua të shpreh solidaritetin tim, mirënjohjen e pakufishme, ndaj atyre demokratëve e demokrateve që u arrestuan mbrëmë me listat e dala nga ai që shqiptarët po i thonë ‘jo, Lulzim, por Lulzi’.
Në një bashkëpunim të ethshëm me narkopolicinë e Edi Ramës, mbrëmë pas përfundimit të protestës janë formuluar lista dhe janë arrestuar, ndaluar, demokratë, që nuk kishin kryer në mënyrë absolute asnjë lloj akti, për të cilin duan t’i bëjnë përgjegjës. Kjo është një histori tjetër turpi e Lulzim Bravës, e bashkëpunimit të tij si një vegël e Edi Ramës.
Gjatë këtyre orëve unë kam marrë me dhjetëra e qindra mesazhe nga demokratët, të cilët janë jashtëzakonisht të inkurajuar në vazhdimin e kësaj beteje, të cilët përjetuan skena që kalonin imagjinatën e tyre.”- u shpreh Berisha.