Shefi i shkarkuar vetëm disa ditë më parë i agjencisë së sigurisë kombëtare në Kazakistan është mes të arrestuarve pas protestave të dhunshme.
Karim Masimov, ish-shefi i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit (KNB) u arrestua në fillim të kësaj jave së bashku me të dyshuar të tjerë të paidentifikuar si pjesë e një hetimi për “tradhti të lartë”.
Siç shkruan RT, KNB kishte nisur një hetim paraprak më 6 janar, duke shtuar se ish-kryetari i saj Masimov dhe të tjerë ishin arrestuar dhe vendosur në paraburgim në të njëjtën ditë. Agjencia nuk dha detaje të mëtejshme mbi rastin, duke cituar se hetimet ishin në vazhdim.
Masimov kishte shërbyer si kreu i KNB-së nga viti 2016 pothuajse deri në paraburgimin e tij. Ai u shkarkua nga presidenti Kassym-Jomart Tokayev më 5 janar, në mes të një shpërthimi dhune në qytetin më të madh të Kazakistanit, Almaty, ku rebelët sulmuan dhe plaçkitën ndërtesat qeveritare dhe u vunë flakën atyre.
Gjatë javës së kaluar, Kazakistani ka parë protesta të paprecedenta, të cilat u nxitën nga rritja e çmimeve të karburantit. Demonstratat u kthyen të dhunshme dhe shpejt u shndërruan në trazira që prekën disa nga rajonet e vendit. Trazirat, për të cilat zyrtarët kazakë fajësuan “banditë dhe terroristë”, kanë rezultuar në dhjetëra të vrarë, si civilë edhe agjentë të zbatimit të ligjit. Pothuajse 4 mijë njerëz ishin arrestuar që nga e premtja.
Të premten, Tokayev pretendoi se rendi kushtetues ishte “kryesisht rivendosur” në të gjitha rajonet. Më parë, një ish-ndihmës i presidentit të parë të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, tha se kriza ishte shkaktuar nga një numër zyrtarësh të rangut të lartë, duke përfshirë oficerë sigurie, të cilët ai i akuzoi për “tradhti” të kombit.
Ndihmësi i tij, Ermukhamet Ertysbayev, i cili dikur shërbeu edhe si ministër i kulturës, i përshkroi trazirat e dhunshme si një “përpjekje për grusht shteti” dhe një “kryengritje të armatosur” që do të ishte e pamundur pa pasur “tradhti nga zyrtarët e lartë të qeverisë dhe të zbatimit të ligjit”. Megjithatë, ai nuk përmendi asnjë emër në veçanti.
Vetë Masimov ishte një aleat i ngushtë i Nazarbayev. Ai shërbeu si kryeministër i vendit dy herë midis viteve 2007 dhe 2012, si dhe midis viteve 2014 dhe 2016. Si dhe drejtoi zyrën presidenciale midis viteve 2012 dhe 2014.
Ndërkohë, KNB ka hedhur poshtë raportimet për arrestimin e zëvendësit të parë të Masimov, gjenerallejtënant Samat Abish. Agjencia i quajti raporte të tilla një “provokim“. Abish është nipi i Nazarbayev.