Dy gazetarë u vranë pasi intervistuan një udhëheqës bande në periferi të kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince të enjten, ndërsa anëtarët e një grupi rival kriminal hapën zjarr ndaj tyre.
Tre gazetarë, që punonin për median online dhe një stacion radio, mbërritën në zonën Laboule 12 atë ditë për një intervistë me një nga krerët e krimit lokal.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, ata u sulmuan nga një bandë rivale. Dy gazetarë të identifikuar si Amady John Wesley dhe Wilkens Louissaint u qëlluan për vdekje, ndërsa kolegu i tyre pati fatin të shpëtojë.
Banditët më pas dogjën trupat e viktimave të tyre, sipas raportimeve në mediat lokale.
Disa banda të armatosura po luftojnë aktualisht për kontrollin e Laboule 12, një zonë strategjike, përmes së cilës shtrihet një nga rrugët kryesore për në pjesën jugore të vendit të Karaibeve.
Situata kaotike me krimin e organizuar është përkeqësuar edhe më tej në një nga vendet më të varfëra në botë që nga vrasja e presidentit të Haitit Jovenel Moise gjashtë muaj më parë.
Bandat i kanë zgjeruar aktivitetet e tyre përtej lagjeve më të varfra të Port-au-Prince, ku policia nuk ka burimet dhe fuqinë e nevojshme për t’i luftuar ato.
Ka pasur të paktën 950 rrëmbime në vend vetëm në vitin 2021, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.