Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Sot nuk është ditë për t’u krenuar apo për të qeshur siç bëri Berisha pak më parë, ai donte gjakderdhje


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediet, pak pas ish-kryeministrit Sali Berisha dhe anëtarëve të Këshillit të Rithemelimit.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se sot nuk ishte një ditë për t’u krenuar duke iu referuar dhunës në protestën e ditës së djeshme në selinë e PD-së.

Basha tha se pak më herët Berisha kishte dashur të derdhej gjak në protestën e djeshme por për fat të mirë kjo nuk kishte ndodhur.

Sipas tij, qëllimi i vetëm i Sali Berishës është që PD ta marrë në mbrojtje në betejën personale ndaj SHBA-ve.

“Sot është një ditë bilanci i të djeshmes tragjike për demokratët dhe për të gjithë shqiptarët dhe ndonëse ndodhem këtu pothuajse pa pushim që nga ngjarja bashkë me bashkëpunëtorët e mi, nuk mund të ndaj asgjë tjetër me demokratët në radhë të parë por edhe me gjithë shqiptarët përveçse trishtimit të thellë.

Sot nuk është ditë për t’u krenuar apo për të qeshur siç bëri ai që ishte pak më përpara, nuk është ditë për të vallëzuar mbi rrënojat e dhunës të një agresioni që s’ka asgjë të përbashkët me demokratët, demokracinë dhe me vlerat e familjes tonë.

Por është një ditë për të përsëritur atë që kemi thënë prej kohësh, provat e të cilës janë para syve të të gjithë demokratëve se qëllimi i vetëm i Sali Berishës nga kjo përpjekje ishte qëllimi i deklaruar publikisht që në korrik, se nëse PD nuk e merrte në mbrojtje duke u kthyer në një bunker pasi u shpall non grata, atëhere PD nuk e meritonte të ekzistonte.

Për këtë qëllim u përpoq për katër muaj me radhë të manipulonte demokratët dhe opinionin publik, por nuk ia doli.

Kryesia, Këshilli Kombëtar, Kuvendi Kombëtar dhe mbarë demokratët qëndruan fort për vlerat tona themelore për një parti politike.

NDaj sot unë nuk kam dhe nuk mund të kem buzëqeshje në fytyrë. Për fat të mirë dje nuk pati gjakderdhje ashtu siç dëshironte dhe siç kishte planifikuar Sali Berisha.

Për fatin e mirë të PD e demokratëve dje nuk u derdh gjak dhe unë e di se eksitimi përballë kësaj skene dhune, që nuk e fshihte dot dje, e ka shoqëruar edhe sot, siç ka shoqëruar një bashkëudhëtar tjetër politik të tijin, Edi Ramën.

Këtu janë njësoj të ndashëm dhe këtu unë ndahem nga të dy.”- tha Basha.