Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra automjete të bllokuara nga bora në Pakistan, 21 të vdekur, mes tyre 10 fëmijë


Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi bora e madhe i ka bllokuar ata në automjetet e tyre në veri të Pakistanit.

BBC shkruan se rreth 1 mijë automjete u bllokuan pasi turistët thuhet se nxituan për të parë reshjet e dëborës dimërore në qytetin Murree në majë të kodrës.

Sipas shërbimeve lokale të urgjencës, një polic, gruaja e tij dhe gjashtë fëmijët e tyre, si dhe një familje tjetër me pesë anëtarë, janë midis të vdekurve.

Ushtria thotë se ka shpëtuar më shumë se 300 njerëz të bllokuar nga nga bora.

Një zëdhënës i ushtrisë shtoi se inxhinierët ushtarakë dhe trupat kishin filluar gjithashtu të pastrojnë rrugët që të çojnë në Murree.

Ministri i Brendshëm Sheikh Rashid tha se kriza ishte shkaktuar nga numri i njerëzve që udhëtonin në zonë, në veri të kryeqytetit Islamabad. Më shumë se 100 mijë makina kishin mbërritur në qytetin e epokës koloniale ditët e funditp për të shijuar borën.

Por deri të premten, mediat lokale filluan të raportonin se turistët po bllokoheshin. Të shtunën, bora e madhe dhe shtimi i automjeteve i shtynë autoritetet ta shpallin rajonin zonë fatkeqësie.

Fotot dhe videot në mediat sociale treguan makina të bllokuara parakolp më parakolp dhe të mbuluara me borë.

Në mesin e atyre që humbën jetën ishin 10 fëmijë, sipas shërbimeve të urgjencës. Policia tha se të paktën gjashtë prej tyre ishin ngrirë për vdekje në makina.

“Njerëzit po përballen me një situatë të tmerrshme.”– i tha agjencisë së lajmeve AFP me telefon Usman Abbasi, një turist i ngecur në qytetin ku ende binte borë e madhe.

 “Nuk janë vetëm turistët, por edhe popullata vendase po përballet me probleme të rënda.”- shtoi ai, duke thënë se ka mungesë të gazit dhe ujit.

Vendasit kanë siguruar batanije dhe ushqim për të bllokuarit, ndërsa ata që mund të arrijnë në qytetin i cili ndodhet në 2 mijë e 300 metra mbi nivelin e detit – janë strehuar në ndërtesa qeveritare dhe shkolla.

Kryeministri Imran Khan shprehu tronditjen për “vdekjet tragjike”, duke vënë në dukje se si reshjet e borës dhe “nxitimi i njerëzve që vazhdonin rrugën pa kontrolluar kushtet e motit e kapi administratorin e qarkut të papërgatitur”.

“Kam urdhëruar hetimin dhe vendosjen e rregulloreve të forta për të siguruar parandalimin e tragjedive të tilla.”- tha kryeministri Khan.