Vendosni fjalën kyçe....

Njerëz të armatosur sulmojnë fshatrat, raportohen qindra të vrarë në Nigeri


Të paktën 200 njerëz në shtetin veriperëndimor të Nigerisë, Zamfara, janë vrarë në një valë sulmesh të egra nga militantët e armatosur.

Sulmet besohet të kenë ardhur si një përgjigje të sulmeve ajrore ushtarake që vranë të hënën më shumë se 100 luftëtarë dhe detyruan të tjerët të largoheshin nga strehat pyjore.

Persona të armatosur dogjën shtëpitë dhe gjymtuan trupat e viktimave të tyre në sulm. Një banor i një prej fshatrave i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se militantët po qëllonin “këdo që shihnin”.

Sulmet janë të fundit në një valë sulmesh të dhunshme në Nigerinë veriperëndimore, ku qeveria qendrore ka qenë prej kohësh në luftë me një numër grupesh kriminale lokale që i ka përshkruar si banditë.

Këto banda janë rrjete të sofistikuara kriminelësh që veprojnë në zona të mëdha të territorit, shpesh duke vjedhur kafshë, duke rrëmbyer njerëz për shpërblime dhe duke vrarë ata që përballen me ta.

Të premten fillimisht u raportua se më shumë se 100 njerëz ishin vrarë nga “banditët” në rajon, pasi rreth 300 persona të armatosur me motoçikleta mbërritën në nëntë komunitete nga e marta deri të enjen mbrëma.

Idi Musa, një banor i një fshati tjetër, i tha agjencisë së lajmeve AFP se sulmuesit vodhën gjithashtu “rreth 2 mijë bagëti”.

Ndërkohë, media lokale ka raportuar se grupet e armatosura duket se po braktisin strehët në zonat pyjore në përgjigje të sulmeve të qëndrueshme të qeverisë, në vend të kësaj duke lëvizur drejt pjesës perëndimore të shtetit Zamfara.