Vendosni fjalën kyçe....

Pemës së rrallë në Kamerun i vihet emri i Leonardo Di Caprios


Një pemë tropikale e sapo zbuluar dhe jashtëzakonisht e rrallë ka marrë emrin e aktorit të njohur dhe një prej eko-aktivistëve më të pasionuar të Hollivudit, Leonardo DiCaprio.     

Bima, e quajtur zyrtarisht “Uvariopsis dicaprio” është një pemë e vogël me gjelbërim të përhershëm në familjen ylang-ylang me lule të verdha që rriten nga trungu i saj.

Emri i DiCaprios iu dha bimës nga shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar në Kopshtin Botanik Mbretëror Kew përmes një botimi të publikuar të enjten në revistën PeerJ.

Bima jashtëzakonisht e rrallë dhe në rrezik rritet vetëm në pyllin Ebo të Kamerunit, i cili mbetet një nga pyjet më të mëdha të shiut relativisht të paprekur në Afrikën Qendrore.

Shkencëtarët dhe konservatorët u panikuan kur autoritetet e Kamerunit lejuan prerjet industriale në pyllin Ebo në vitin 2020. Ata i shkruan një letër të hapur qeverisë në Yaounde, duke paralajmëruar se prerja e pemëve në pyll do të rrezikonte biodiversitetin e saj unik, duke përfshirë gorillat e rrezikuara, shimpanzetë dhe elefantët e pyllit.

Në këtë kauzë u përfshi edhe DiCaprio, i cili e promovoi letrën në fjalë për miliona ndjekësit e tij në mediat sociale dhe iu bashkua thirrjeve për të anuluar planet e prerjeve në pyllin Ebo.

Fushata ishte në gjendje të arrinte qëllimin e saj, me presidentin e Kamerunit Paul Biya që përfundimisht u tërhoq nga vendimi i tij.

DiCaprio “ishte vendimtar për të ndihmuar në ndalimin e prerjeve të pyllit Ebo” tha Dr. Martin Cheek i Kopshtit Botanik Mbretëror Keë për BBC-në.