Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia e 9 Janarit/ Familjarët i drejtohen SPAK-ut pas 18 vitesh: Të vendosen para drejtësisë fajtorët


Shoqata “9 janari” në Shkodër kërkon zbardhjen e tragjedisë së 18 viteve më parë, ku humbën jetën 28 persona në tentativë për të shkuar drejt Italisë me gomone.

Familjarët e viktimave e kanë dërguar sërish çështjen në SPAK, duke i kërkuar drejtësisë të vërë fajtorët përpara përgjegjësisë.

Pas 18 vitesh ata shprehen se dosja ende nuk është zbardhur. Një nga familjarët tha se nëse SPAK nuk i përgjigjet kërkesës së tyre, do të futet në grevë urie deri në vdekje.

“Unë kërkoj kockat e djalit, sepse aty nuk ka pasur gomone që ska shkuar me armë. Ata që i kanë vrarë dhe i kanë fshehur. Kërkoj nga SPAK që të pyeten ata persona që nuk janë pyetur deri më sot. Janë 9 të mbijetuar dhe vetëm 3 janë pyetur. Dëshmitar okulare është edhe një italiane. Tre trupa janë gjetur në Lece dhe më ka thënë Pëllumb Qazimi që është djali jot. Prandaj kërkoj dënimin e Pëllumb Qazimit, Bajrmam Ibrës, Pandeli Majkos, ministrit të rendit në atë kohë Igli Toskës. Ne në SPAK kërkojmë këta persona. Nëse SPAK nuk e bën një gjë të tillë unë deklaroj se do të hyj në grevë urie deri në vdekje.”- tha një familjar.

Një tjetër u shpreh se ndërsa fëmijët e tyre tentun të largoheshin për një jetë më të mirë jashtë vendit, ata u ekzekutuan.

“Ata i kanë marrë 8 trupa dhe i ka varrosur shteti. Ne duam të dimë ku janë eshtrat e fëmijëve tanë. Kush i vrau dhe pse i vrau? Ata kërkuan jetë më të mirë jashtë shteti, por na i ekzekutuan fëmijët. Ne po kërkojmë drejtësi, drejtësi nuk po na japin. Nëse shteti i vret njerëzit e vetë dhe i mbyll cështjet, të dimë të paktën që nuk kemi shtet dhe nuk ka drejtësi.”- u shpreh qytetari.

Kujtojmë se rreth 18 vite më parë, 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon ndërsa tentonin të largoheshin nga vendi me gomone.