Vendosni fjalën kyçe....

Tregu i çamçakëzëve, shpërthimi i flluskës si “shpëtim” nga Covid


Ndërsa shqiptarët po përjetonin ditët më të këqija të pandemisë COVID-19, ata përtypën edhe më shumë çamçakëz për të mbajtur frymën të freskët. Sipas shifrave zyrtare, importet e këtij produkti në 2020-n u rritën me 41% krahasuar me 2019.

Koha kur shqiptarët e konsideronin përtypjen e një çamçakëzi si “luks”, sepse rrallë ndodhte të ishte në duart e tyre, tani duket shumë larg. Sot, konsumatorët e çamçakëzëve nuk mund të imagjinojnë, se si ka qenë për brezat e mëparshëm të pasurit e një çamçakëzi.

Ky produkt kaq i lakmueshëm para viteve ’90, prej vitesh është kthyer në një konsum masiv për shqiptarët. Me kaq shumë mundësi zgjedhjeje dhe kompani distribucioni, tani duhet të zgjedhin vetëm markën e preferuar.

Megjithëse është një produkt i ndjeshëm, sepse nuk është produkt bazik, shqiptarët mbeten “tifozët” e tij të rregullt, duke thuajse dyfishuar konsumin në dy vitet e fundit.

Sipas kompanive vendase në këtë treg, Shqipëria mund të renditet ndër vendet me konsumin më të lartë në rajon, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Njësoj si me pijet energjike, shqiptarët janë përdorues të mirë të produkteve që mund të konsiderohen “argëtuese”.

Ndonëse 2020-a pati një rritje të importeve të këtij produkti, panorama e viteve të mëparshme tregon për një ulje konsumi që pas vitit 2016. Nga ana tjetër, ndryshime sizmike kanë ndodhur në të gjithë industritë që nga fillimi i vitit të pandemisë dhe ndonëse jo pa tregues të qëndrueshëm, aktorët e tregut pohojnë se sektori i çamçakëzit është ndikuar.

“Çamçakëzi është një artikull që përdoret në situata shoqërore, si në një takim ose një festë” – thotë Altin Dine, përfaqësues për Shqipërinë i kompanisë “Wrigley”. “Për shkak të COVID-19, ato aktivitete pësuan rënie në gjysmën e parë të vitit 2020, të cilat u ndoqën nga një rikuperim i menjëhershëm”.

Megjithatë, sipas vëzhgimeve në markete të ndryshme në kryeqytet apo edhe nga pika Tabacino, edhe pse është një produkt i ndjeshëm sepse nuk është produkt i nevojës bazike, shqiptarët mbeten “tifozët” e tij të rregullt, duke dyfishuar konsumin në dy vitet e fundit. Sipas kompanive vendase në këtë treg, Shqipëria mund të renditet ndër vendet me konsumin më të lartë në rajon.

Importet e çamçakëzëve vlerësohen të jenë 673,410 dollarë në 2020, me rritje prej 41.3% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa si peshë janë importuar rreth 182 tonë produkte çamçakëz, me ose pa sheqer.

Tregu botëror i çamçakëzit vlerësohet të jetë 560,000 tonë në vit, që përfaqëson afërsisht 5 miliardë dollarë. Rreth 374 miliardë copa çamçakëzësh shiten në të gjithë botën çdo vit, që përfaqësojnë 187 miliardë orë përtypje çamçakëzësh nëse secili përtypet për 30 minuta.

Mania për të zëvendësuar larjen e dhëmbëve me konsumimin e çamçakëzëve

Nga ana tjetër, çamçakëzi mund të ketë ndikim në shëndetin oral. Etiketimi i çamçakëzit pa sheqer si “i sigurt për dhëmbët” ose “miqësor me dhëmbët” është provuar i dobishëm për konsumatorin e informuar. Sidoqoftë, prodhues të ndryshëm të çamçakëzëve kanë filluar kohët e fundit të ngrenë pretendime të dallueshme për promovimin e shëndetit, duke sugjeruar, për shembull, zëvendësim përmes pastave të dhëmbëve.

Qëllimi i këtij rishikimi kritik – që mbulon efektet e vetive fizike të çamçakëzit, është të sigurojë një sërë udhëzimesh për interpretimin e shqetësimeve për shëndetin oral dhe të ndihmojë profesionistët e kujdesit shëndetësor në këshillimin e pacientëve.

Sipas të dhënave të Doganave, importi i pastave të dhëmbëve në Shqipëri ka arritur vlerën e 5.2 milionë dollarëve në 2020, me një rritje prej 52% krahasuar me një vit më parë. Një metodologji krahasimi mes dy produkteve nuk arrihet vetëm nga leximi i shifrave, duke qenë se pastat e dhëmbëve janë produkte shumë herë më të shtrenjta se sa çamçakëzët. Megjithatë, ekspertë të shëndetit oral thonë se shqiptarët njihen për ‘maninë’ e tyre për të zëvendësuar larjen e dhëmbëve me konsumimin e çamçakëzëve.

Dr. Ramiz nga Klinika Toti dhe Gurakuqi në Tiranë pohon tendencën e shumë viteve tashmë, e cila vërehet më tepër në moshat 35-55 vjeç. Sipas doktorit, të rinjtë janë më të prirë që të kujdesen më shumë për dhëmbët. Grupmosha e sipërpërmendur përkon me brezin që kanë konsumuar masivisht çamçakëz në fillim të viteve ’90.

 

 

Pa sheqer

Europa mban një pozicion dominues në tregun e çamçakëzëve pa sheqer për shkak të përfitimeve të shëndetit oral dhe të ndërgjegjësimit të popullsisë, prej vitesh tashmë në zgjedhjen e këtij produkti. Çamçakëzi pa sheqer është një kategori e re në pjesën më të madhe të vendeve, ndërsa po rritet me një ritëm shumë më të shpejtë. Rritja e shqetësimit në lidhje me prishjen e dhëmbëve, për shkak të përmbajtjes së sheqerit, i ka detyruar prodhuesit botërorë të prodhojnë një gamë produktesh pa sheqer për të rritur shitjen.

Çamçakëzët me sheqer kanë pësuar rënie të konsumit, ndërsa kërkesa e atyre pa sheqer po rritet edhe në Shqipëri. Altin Dine, përfaqësuesi për Shqipërinë i “Wigley”, kompani e mirënjohur për prodhimin e “Orbit”, pohon për “Monitor” se, kërkesat për çamçakëz pa sheqer kanë qenë më të larta vitet e fundit. Mjekët stomatologë e lidhin këtë kërkesë me një “vetëjustifikim” të përdoruesve. Sipas tyre, “pa sheqer” është më pak e dëmshme për dhëmbët.

Çamçakëzët pa sheqer, në formë tradicionale apo mint, kanë pasur ecuri shitje mjaft të mirë në treg. Z. Dine thotë se kërkesa është rritur për produkte me format të madh dhe të mbyllur, sidomos në pandemi, që përdoruesit nuk i kanë ndarë me askënd.

 

Studimi, Shqipëria me konsum të lartë

Çamçakëzi i përket segmentit të ushqimeve dhe ëmbëlsirave. Referuar deklaratave të operatorëve në treg, është padyshim produkti më i shitur në tregun e ëmbëlsirave, ku është i pranishëm, për arsye të çmimit të ulët dhe zëvendësimit të kujdesit oral.

Ky fakt mbështetet edhe nga një raport i fundit i “Mordor Intelligence” për vitin 2020, në të cilin Shqipëria renditet si një ndër shtetet me konsumin më të lartë të çamçakëzit në botë. (shih hartën).

Shqipëria bën pjesë në grupin e shteteve me konsum të lartë të së gjithë gamës së produkteve të tilla, qoftë me sheqer, pa sheqer, apo në formë karameleje.

Raporti nënvizon se shtetet me konsumin më të lartë gjenden në Amerikën e Veriut dhe Europë. Vendet me konsum të mesëm janë në Australi, Turqi, Gadishullin Arabik. Ndërsa vendet me konsum të ulët, në Amerikën Latine dhe Afrikë.

Përfaqësuesi i “Wrigley” në Shqipëri, z. Dine, thotë se tregu i çamçakëzëve është rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit, me një konsolidim në rritje të aktorëve dhe krijimin e një baze të mirë për hyrjen e konkurrentëve të rinj në garë.

Tendenca

Ndonëse një ndër vendet me numrin më të lartë të dentistëve për frymë, sipas mjekëve stomatologë, shqiptarët konsiderohen se kujdesen pak për shëndetin oral

Europa, tregu më në rritje

Europa mbetet tregu dominues sa i përket konsumit të çamçakëzëve, me Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që janë shtetet mbizotëruese. Konsumi për njësi i çamçakëzit po rritet me një ritëm të qëndrueshëm, i ushqyer kryesisht nga kërkesat për çamçakëzë pa sheqer.

Tregu nxitet kryesisht nga rritja e kërkesës edhe për produkte të freskisë në gojë me përbërës aktivë, si stevia, ksilitol dhe mentja. Kina dhe India po kontribuojnë me normën e rritjes së shëndetshme në nivel global. Madhësia e tregut të çamçakëzëve të Kinës pritet të arrijë atë të SHBA-së. Sa u përket zonës së Azi-Paqësor, kanë popullsinë më të lartë të të rinjve në nivel global, brenda grupmoshës 18-24 vjeç, e cila ka nxitur konsumin.

Tregu botëror

Tregu i çamçakëzëve parashikohet të rritet me një normë prej 4.39% gjatë periudhës 2021 – 2026, sipas një raporti të fundit.

Çamçakëzët me nikotinë, një pjesë e rëndësishme e tregut të çamçakëzëve, dëshmuan rritje të kërkesës mes konsumatorëve globalë gjatë pandemisë COVID-19. Kjo ishte për shkak të ndërgjegjësimit të konsumatorëve në lidhje me ashpërsinë e sëmundjes COVID-19, e cila është më e lartë te duhanpirësit. Pirja e duhanit dëmton funksionin e mushkërive, duke e bërë më të vështirë për trupin që të luftojë koronavirusin dhe sëmundjet e tjera. Si rezultat, situata ndikoi që konsumatorët në mbarë botën të lënë duhanin, duke nxitur kërkesën për çamçakëzët me nikotinë.

Shitjet e çamçakëzëve me sheqer janë në rënie për shkak të preferencës së konsumatorëve ndaj atyre pa sheqer. Çamçakëzët pa sheqer janë ende një kategori e re në shumicën e vendeve, me një ritëm shumë më të shpejtë. Rritja e shqetësimit në lidhje me prishjen e dhëmbëve për shkak të përmbajtjes së sheqerit i ka detyruar prodhuesit të krijojnë një gamë të produkteve pa sheqer.

Shqetësimet, për efektet negative shëndetësore të mishrave të dhëmbëve për shkak të përbërësve të dëmshëm, siç janë plastika dhe konservuesit artificialë, pritet të kufizojnë rritjen e tregut. Sidoqoftë, inovacionet e produkteve, si prezantimi i shijeve të reja të produkteve ose përfshirja e përbërësve natyralë, pritet të ndihmojnë në rritjen e tregut gjatë periudhës së parashikimit. Kompanitë, si “Peppersmith”, ofrojnë 100% mente, xylitol dhe çamçakëz, të bëra kryesisht nga përbërës me bazë bimore, për të mbajtur dhëmbët të shëndetshëm.

Tregu global dominohet nga Amerika e Veriut, e ndjekur nga Europa, dhe Azi-Paqësori, i cili mbetet rajoni me rritjen më të shpejtë veçanërisht për shkak të prirjes së lartë drejt çamçakëzëve pa sheqer. Tregu global i çamçakëzëve është i segmentuar sipas llojit, kanalit të shpërndarjes dhe gjeografisë.

Sipas llojit të produktit, tregu është i segmentuar si çamçakëzë pa sheqer dhe të sheqerosur. Tregu është i segmentuar në supermarkete, dyqane të vogla, dyqane të specializuara, shitje në internet dhe kanale të tjera të shpërndarjes.

Në 2020 janë importuar 182,876 kg çamçakëz. Konsumi për frymë i shqiptarëve ka qenë 64.2 gramë/shqiptar. (Një pako çamçakëz peshon 100 gr).

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al