Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Lirimi i 4 të akuzuarve për nxjerrjen e të dhënave është mbrojtja që i bën Rama skemës së patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve


Nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të lënë të lirë katër personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personave të mbi 630 mijë qytetarëve.

Alibeaj tha se lirimi i 4 të akuzuarve për nxjerrjen e të dhënave është mbrojtja e kryeministrit Edi Rama për skemën e patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve.

Sipas tij, vendimi i gjykatës tregon se segmente të drejtësisë mbeten nën ndikimin direkt të Ramës dhe i shërbejnë pushtetit të tij.

Alibeaj këmbëngul se të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u përdorën për të vjedhur zgjedhjet e 25 Prillit të 2021-shit.

“Vendimi i sotëm i gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve është dëshmi e qartë se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente të drejtësisë mbeten nën ndikimin direkt të Edi Ramës dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur.

Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave përsonale të qindra mijëra shqiptarëve.

Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qartë se autorët e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjikë normale që të justifikojë gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat që kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës.

Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.

Që në fillim të shpërthimit të skandalit, Edi Rama u përpoq ta zvogëlojë përmasën e skandalit, ndërsa sot, me tentakukat e tij në sistemin e drejtësisë, doli hapur dhe liroi 4 personat, që akuzohen zyrtaisht për publikimin e të dhënave.

Shqiptarët e kanë të qartë se krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale.

Partia Demokratike dënon ndërhyrjen flagrante të Edi Ramës në vendimin për të liruar vartësit e tij dhe për të mos i shkuar deri në fund skemës kriminale të patronazhimit përmes vjedhjes së të dhënave perisonale të shqiptarëve.

Me taksat e tyre, shqiptarët kanë paguar në 8 vjet qeverisje të Edi Ramës, 160 milionë euro me qëllimin e vetëm që të dhënat e tyre të jenë të sigurta.

Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka asgjë të sigurtë: as vota nuk është e sigurtë, as puna, as siguria në familje. Një kryeministër që keqpërdor dhe tradhëton qytetarët për pushtetin e vet personal duhet të ishte sot para drejtësisë!”- tha Alibeaj.