Vendosni fjalën kyçe....

Arrestime në protestën masive kundër bllokimeve të Covid në Bruksel (Video)


Një turmë masive përmbyti rrugët e kryeqytetit belg, Bruksel, me demonstrues që bënin thirrje për ‘liri’ dhe duke kërkuar që autoritetet të heqin pasaportën e vaksnimit të Covid-19 që kërkohet për të hyrë në mjedise të ndryshme.

Protesta në shkallë të gjerë, së cilës iu bashkuan mijëra njerëz, u organizua nga një grup i quajtur ‘Samen Voor Vrijheid’ (Së bashku për Lirinë). Turma, duke brohoritur ‘Liri!’ dhe dhe duke mbajtur pankarta që denonconin atë që ata e quanin ‘diktaturën e vaksinave’ të qeverisë, marshuan nëpër qendrën e qytetit nga stacioni hekurudhor Gare du Nord deri në Parc du Cinquantenaire në lindje.

Demonstrata tërhoqi disa figura publike dhe politikanë, duke përfshirë edhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian.

“Ne po kërkojmë që të kthehen të drejtat e liria jonë.” – tha për Politico një eurodeputet rumun Cristian Terhes, nga Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë.

“Ajo që po ndodh tani në të gjithë Evropën, është një abuzim i papërshkrueshëm që nuk e kemi parë, të paktën në Perëndim, që nga Lufta e Dytë Botërore.” – shtoi ai. Sipas policisë, marshimi u ndoq nga rreth 5000 pjesëmarrës.

Organizatorët përmendën një shifër shumë më të lartë, duke deklaruar se rreth 25,000 iu bashkuan tubimit. Organizatorët denoncuan gjithashtu ‘masat kufizuese të lirisë’, të cilat ata thanë se nuk ishin një ‘zgjidhje strukturore’. Masa të tilla ‘nuk ishin më të justifikueshme’, argumentuan ata dhe thirrën ‘këdo që ndjen se diçka nuk është në rregull’ t’i bashkohet kauzës.

Demonstrata ishte kryesisht paqësore ndryshe nga një ngjarje e ngjashme në nëntor 2021, e cila përfundoi në përleshje të mëdha me policinë. Megjithatë, disa protestues ende po hidhnin mjete piroteknike dhe po digjnin pemët e Krishtlindjeve të vendosura para disa ndërtesave për dekorim, siç sugjerojnë videot e publikuara në rrjetet sociale.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Më shumë se 30 persona u arrestuan, përfshirë 11 të cilët u arrestuan edhe para fillimit të ngjarjes, për posedim të lëndëve piroteknike dhe materialeve të ndezshme, tha zëdhënësi i policisë Ilse Van de Keere për mediat lokale. Pas demonstratës, një grup i vogël protestuesish u përpoqën të përballeshin me policinë, por forcat e rendit e morën shpejt situatën nën kontroll.

Të dielën, Ministri i Shëndetësisë i Belgjikës Frank Vandenbroucke gjithashtu bëri thirrje për një debat parlamentar mbi rregulla më të ashpra dhe madje u diskutua për futjen e vaksinimit të detyrueshëm.