Gjatë periudhës janar-gusht 2021 u shpërndanë në formën e subvencioneve për bujqësinë rreth 2.7 miliardë lekë sose 22 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave që i referohen Raportit të Monitorimit, 70 për qind e subvencioneve që u shpërndanë ishin nga grantet e BE në programin IPARD. Kjo shume ishte 10% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2020.
Nga fondet e brendshme për të njëjtën periudhë janë shpërndarë 828 milionë lekë ( 6,7 milionë euro). Shuma u shpërnda në 2766 persona me përfitim mesatar 299,349 lekë për fermer.
Ndërsa fondet e IPARD u shpërndanë në 166 përfitues, të cilët përfituan mesatarisht 1,4 milionë lekë për person.
Për vitin 2022 qeveria ka premtuar një skeme të re të subvencionit për bujqësinë. Në paketën fiskale të këtij viti qeveria bëri zero kompensimin e TVSH- së për sektorin e bujqësisë që më parë ishte 6%.
Kompensimi u bë zero, pasi përfitimet shkuan tek tregtarët dhe jo tek prodhuesit. Ministria e Bujqësisë është angazhuar që së bashku me prodhuesit të hartojë një skemë të re për mbështetjen e fermerëve me të cilën do të synohet të sigurohet mbështetje direkte me subvencione. Deri më tani nuk ka një draft të skemës së re, teksa fermerët kanë reduktuar mbjelljet në sera në sezonin e ri për shkak të kostove të larta të lëndëve të para dhe shitjeve të dobëta në sezonin e dytë të mbjelljeve.
Fondet nga skema kombëtare për bujqësinë jepen për numër krerësh, për numër drufrutorësh apo për hektarë tokë të mbjellë.
Ndërsa fondet e BE nga programi IPARD jepen për “Investime në asetet fizike të njësive bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e qumështit, mishit, frutave, perimeve dhe vreshtit.
Fondet e BE për bujqësinë jepen edhe për “Investime në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorin e përpunimit të qumështit, mishit, frutave, perimeve dhe verës.
Një nga masat e programit IPARD është “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë Prodhimi i bimëve medicinale, kërpudhave, mjaltit, bimëve zbukuruese dhe kërmijve. Në fokus është edhe tregtimi i bimëve mjekësore dhe aromatike të egra dhe të kultivuara, kërpudhave dhe mjaltit, përpunimi në nivel ferme dhe tregtimi i produkteve bujqësore, akuakultura, natyra dhe turizmi rural, shërbime për popullatën dhe bizneset rurale.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor