Vendosni fjalën kyçe....

Tërmeti në Greqinë veriore, shkakton dëme materiale në qytetin e Follorinës


Banorët e Follorinës kanë kaluar një natë të vështirë pas tërmetit me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter i ndodhur pak minuta para mesnate vetëm 3 kilometra në perëndim të Follorinës. Deri më tani ka vetëm dëme materiale dhe sipas autoriteteve lokale nuk raportohet për të lënduar nga tërmeti apo dëme të rënda në banesa të përhershme.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, thellësia fokale ishte 14.3 km.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Follorinës, z. Vassilis Giannakis, deri në mëngjesin e së hënës janë shënuar dëme të rënda në ballkonet e tre banesave.

Drejtori i Institutit Gjeodinamik, Akis Tselentis tha për mediat greke: “Kemi pasur të paktën 35 pasgoditje, që është pozitive pasi duket se 5.4 Rihter ka qenë kryesori”.

Tërmeti kryesor, i cili sipas informacioneve u ndje veçanërisht në Follorinë si dhe në zonën e Prespës, u pasua nga disa pasgoditje, ku më i forti ishte 4.2 i shkallës Rihter dhe i regjistruar nga sizmologët në orën 23:53.

Ndërkohë banorët e qytetit kanë dalë në rrugë të trazuar, pasi dridhja ka zgjatur për disa sekonda dhe ka qenë shumë intensive.

Gjithashtu, lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat periferike të Follorinës, si në Kozani, Ptolemaida, Kastoria, Pella, madje edhe në Selanik, Katerini, Veria, por edhe në Trikala e Larisa.

Në qendrën e thirrjeve të Zjarrfikësve janë raportuar dëmtime të vogla brenda banesave -kryesisht në katin e fundit të pallateve- ndërsa sipas kryebashkiakut të Follorinës Vasilis Giannakis janë dëmtuar rëndë tre ballkone banesash.

Tërmeti gjithashtu u ndje edhe në Shqipëri në jug dhe juglindje dhe deri në Tiranë.