Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar për herë të parë protesten e së shtunës në selinë e Partisë Demokratike, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Veliaj tha se ajo që ndodhi nuk ndihmon imazhin e Shqipërisë, duke iu referuar skenave të dhunshme.
“Fatkeqësisht, për një pjesë të madhe të botës, jo tonën, Shqipëria është akoma ajo e 97-ës. Ajo që ndodhi përpara disa ditësh nuk ndihmon me imazhin tonë. Si t’ia shpjegosh një të huaji që ajo ishte diçka e izoluar, është sherr për godinën e një nga 30 partitë?
Nuk ia shpjegon dot se ai sheh vetëm atë imazh dhe thotë: ‘Bo bo! Këta qenkan akoma në 97-98!’ Sfida e madhe që kemi është që, nëpërmjet këtyre aktiviteteve, të cilat sigurisht do të përfshijnë të rinj nga e gjithë Europa, të punojmë pak për imazhin e vendit.”- tha Veliaj në një bashkëbisedim me drejtuesit dhe presidentët e shkollave të mesme në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj shtoi se gjenerata e re ka shansin që të sjellë një mentalitet të ri: “Mjafton të shikoje ato skena me njerëz që kanë rrezikuar jetën për 30 vite për partitë duke hipur nëpër shkallë e me shkopinj në duar… Ajo skenë ma thyen zemrën, por nuk e ndryshon dot… Nëse ai që në ‘92 ka vënë zjarr për partinë, nuk mund të ndryshojë dot tani, por gjenerata e sotme mund të ndryshojë.”