BE-ja nuk ka arritur pothuajse asgjë me 700 milionë eurot e shpenzuara nga paratë e taksapaguesve të saj që synojnë të ndihmojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.
Shpenzimet, ndërmjet 2014 dhe 2020, kishin ‘pak ndikim’ në situatën në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, tha të hënën Gjykata e Auditorëve të BE-së në Luksemburg.
“Kanë ndodhur disa reforma teknike dhe operacionale.” – vuri në dukje raporti.
BE-ja ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet e saj për të promovuar reformat e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, theksuan auditorët e BE-së në një raport të botuar më 10 janar 2022.
“Por në një kontekst të vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe mungesës së përfshirjes, mbështetja e BE-së ka qenë kryesisht e pamjaftueshme për të trajtuar problemet e vazhdueshme në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, përqendrimi i pushtetit, ndërhyrja politike dhe korrupsioni.” – shtoi raporti.
Duke lënë mënjanë vullnetin e liderëve lokalë, qasja e butë e BE-së për financimin e projekteve ishte pjesë e problemit.
Ka pasur ‘aplikim jo të qëndrueshëm të parakushteve për financimin e projektit’, vërejtën auditorët.
Dhe ‘BE-ja ka shfrytëzuar shumë rrallë mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një përfitues dështon të respektojë parimet themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut’, thanë ata.
“Përparimi modest i bërë gjatë 20 viteve të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të mbështetjes së BE-së të ofruar në kuadër të procesit të pranimit. Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë nëse nuk japin rezultate të prekshm.” – tha gjithashtu një nga auditorët e gjykatës, Juhan Parts.
Auditorët theksojnë mungesën e vullnetit politik në rajon, si dhe mangësitë në qasjen e vetë Komisionit Evropian ndaj projekteve në Ballkanin Perëndimor, si kontribuues në dështimin për të arritur progres.
“Auditimi ynë i projekteve të mostrës tregon se, ku komponentët e projektit fokusohen në asistencën teknike, rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit institucional, mbështetja politike ishte e fortë dhe këto aktivitete në përgjithësi vazhdojnë sipas planit.” – shkruajnë auditorët.
“Aty ku komponentët synojnë, për shembull, amendamentet në kornizën legjislative për të forcuar pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, atëherë angazhimi politik ishte shpesh më i dobët.” – shtuan auditorët.
Auditorët vunë në dukje gjithashtu se ‘mbështetja e BE-së brenda vendit për veprimin e shoqërisë civile mbi sundimin e ligjit është e pamjaftueshme’ dhe ngritën shqetësime se projektet e mbështetura nga BE mund të mos jenë financiarisht të qëndrueshme pas përfundimit të mbështetjes evropiane.
Një tjetër rekomandim është që Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, krahu i shërbimit të jashtëm të bllokut, të rrisin mbështetjen për shoqërinë e pavarur civile dhe gazetarët në rajon, si dhe të lidhin më afër disbursimin e fondeve të reja me përparimin në rregullimin e kriteret e ligjit.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se ai mirëpret raportin e auditorëve, duke e quajtur atë një ‘kontribut të dobishëm’.
“Sundimi i ligjit mbetet guri themeltar i procesit të pranimit dhe do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të përparimit të partnerëve në rrugën e tyre drejt BE-së.” – tha zëdhënësi në një email.
Zëdhënësi vuri në dukje gjithashtu se BE-ja ka përditësuar qasjen e saj drejt zgjerimit në vitin 2020 dhe tani ka ‘një fokus më të fortë në sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor’.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
Përgatiti për Hashtag.al. Klodian Manjani