Vendosni fjalën kyçe....

Berisha intervistë për median amerikane: Qeveria e Sorosit po mbështet opozitën e kontrolluar me mercenarë vrasës kundër nesh


“Qeveria e Sorosit po mbështet opozitën e kontrolluar me mercenarë vrasës kundër nesh.”-kështu ka deklaruar ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për gazetarin e njohur amerikan, L. Todd Wood, në emisionin e tij “Information Operation’ në CDMedia pas protestës së 8 janarit.

Berisha thotë se qeveria shqiptare, me mbështetjen e ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, po synon që të mbajë peng vendin dhe se lëvizja e tij në parti nisi kur Lulzim Basha i cili punonte nga afër me ambasadën e SHBA-ve kërkoi të krijonte një koalicion me qeverinë.

Lidhur me protestën e 8 Janarit, Berisha këmbëngul se ishte një protestë paqësore por se pala kundërshtare e tij (Lulzim Basha) kishte përdorur mercenarë dhe vrasës për të sulmuar protestuesit paqësorë.

“Nuk duhej ushtruar asnjë formë dhune kundër askujt. Kjo ishte motoja jonë. Por pala tjetër bëri të kundërtën. Ata i përdorën mercenarët dhe vrasësit për të sulmuar protestuesit paqësorë në mënyrë brutale. Ata përdorën njësitë speciale të policisë, gazin lotsjellës, pluhur monoksid karboni, gjuajtën me gurë dhe armë të tjera. Për pasojë, ka 12 protestues paqësorë të lënduar. Asnjë nga policia, asnjë nga pala tjetër nuk është gërvishtur a lënduar.”- tha Berisha.

Berisha thotë se qeveria shqiptare e cila mbështetet nga miliarderi George Soros, po mbështet opozitën e Lulzim Bashës të cilën e quan një opozitë të kontrolluar.

INTERVISTA:

TODD WOOD: Ju lutem, na tregoni se çfarë po ndodh në vendin tuaj.

SALI BERISHA: Është e qartë se synimi është që ky vend të mbahet peng nga qeveria shqiptare me një mbështetje të fortë të ambasadores së SHBA-së në Tiranë. Pasi mua më shpallën non-grata, pa asnjë lloj fakti, prove, dëshmie, dokumenti 8 vjet pasi isha larguar nga pushteti, kur nuk isha akuzuar kurrë për korrupsion, por përkundrazi, isha lavdëruar për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, papritur u shënjestrova si një person non-grata dhe sikurse ju thashë, as unë as ndonjë person nga familja ime nuk ishte akuzuar nga askush. Tri javë pasi kisha humbur zgjedhjet filloi një kalvar i vërtetë. DASH më kërkoi që të mos hyja në parlament. Kryetari i partisë, i cili punonte nga afër me ambasadën e SHBA-së, shpresonte të krijonte një koalicion me qeverinë. Unë e kisha kundërshtuar këtë. Pikërisht këtu filloi lëvizja në parti. Kjo lëvizje përfundoi me heqjen nga pozicioni të kryetarit pas Konventës Kombëtare ku kishte anëtarë të zgjedhur më 11 dhjetor. Më pas u zhvillua referendumi më i madh që kemi pasur ndonjëherë ku votuan anëtarët e partisë. Më shumë se 90% e tyre votuan për të larguar kryetarin, por kryetari nuk e pranoi rezultatin e votimit. Nuk pranoi që ai nuk është më kryetar. Ai mblodhi mercenarë, vrasës të njohur, trafikantë droge, fondamentalistë nga ‘Vëllazëria Myslimane’ e vendeve të tjera në selinë e partisë dhe filloi procesin e blindimit të selisë. Kështu që ne dolëm në protestë për të rimarrë shtëpinë tonë, selinë që është shtëpia e anëtarëve të PD-së. Ishte një protestë paqësore. E kam thënë publikisht që dyert duhet të ishin të hapura. Këto janë dyert e shtëpisë sonë dhe asnjë nuk ka të drejtë të na pengojë të hyjmë brenda. Por, pa dhunë. Nuk duhej ushtruar asnjë formë dhune kundër askujt. Kjo ishte motoja jonë. Por pala tjetër bëri të kundërtën. Ata i përdorën mercenarët dhe vrasësit për të sulmuar protestuesit paqësorë në mënyrë brutale. Ata përdorën njësitë speciale të policisë, gazin lotsjellës, pluhur monoksid karboni, gjuajtën me gurë dhe armë të tjera. Për pasojë, ka 12 protestues paqësorë të lënduar. Asnjë nga policia, asnjë nga pala tjetër nuk është gërvishtur a lënduar.

Qeveria e Shqipërisë kërkon të emërojë kryetarin e partisë së opozitës nëpërmjet policisë, bandave, vrasësve të cilët gjenden brenda ndërtesës dhe duan të mbajnë për kryetar një kukull që nuk e ka më besimin e anëtarëve të partisë.

TODD WOOD: Pra, opozita kundër qeverisë së mbështetur nga Sorosi po mbështetet nga qeveria sepse është opozitë e kontrolluar. Juve nuk po ju lejojnë të rimerrni partinë, pavarësisht se keni shumicën e votave.

SALI BERISHA: Po, kështu është. Kanë dalë disa deklarata se SHBA nuk do të merren me një person që është shpallur non-grata. Megjithatë, kjo nuk ndikoi kurrsesi te anëtarët e partisë sime. Megjithëse këto deklarata u përsëritën disa herë nga ambasadorja e SHBA-së dhe jo vetëm. Në fakt, procesi ishte procesi më demokratik që është para ndonjëherë. Si nuk arritën t’i bindnin anëtarët e PD-së që të mos mbështetnin Berishën dhe duke mbajtur me çfarëdo çmim këtë anëtar kukull, ata reaguan ashpër kundër protestuesve dhe as nuk u shprehën për faktin se selia e PD-së është kthyer në një çerdhe kriminelësh dhe personash që janë dënuar me 25 vjet për vrasje, trafikantë droge dhe fundamentalistë që kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut, etj. Ky është realiteti i pasigurt dhe i rrezikshëm. Megjithatë, ne do të vazhdojmë.

TODD WOOD: Cili është plani i vazhdimit?

SALI BERISHA: Sipas vlerësimit tim modest, ky është një revolucion paqësor. Shqiptarët duan një opozitë të vërtetë. Shqiptarët e shohin se pluralizmi politik është në rrezik, prandaj ne do të realizojmë qëllimet tona. Nëse vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, Shqipëria do të ngrihet në protestë kudo. Ne nuk jemi të gatshëm të sakrifikojmë pluralizmin në këtë vend. Vullneti i shumicës duhet të mbizotërojë. Pakica duhet të respektohet dhe duhet të respektojë vullnetin e shumicës. Këto janë rregullat bazë të një vendi demokratik dhe ne do të bëjmë çmos për t’i mbajtur gjallë ato.

TODD WOOD: A ka pasur ndonjë veprim tjetër nga ambasada, apo ambasadorja Kim së afërmi?

SALI BERISHA: Çdo ditë. Në fjalimet e tij, kryetari kukull lexon komunikata, të cilat me siguri ia dërgon ambasadorja e SHBA-së. Për shembull, ai u thotë shqiptarëve se Berisha e di se shpallja non-grata është një proces i gjatë që shkon nga njëra agjenci në tjetrën. Mua më kërcënojnë me Thesarin. Unë u kam thënë që ta dërgojnë shpalljen sa më parë aty. Pse e kam thënë këtë? Nëse cilido institucion amerikan, apo shtetas amerikan arrin të sigurojë një provë të vetme për të vërtetuar akuzat në adresën time, unë jam i gatshëm të marr çdo vendim dhe unë ju ftoj ju dhe median e SHBA-së që të vini dhe të hetoni çdo gjë që është shkruar për mua. Por, pa asnjë provë a dëshmi, unë nuk do të heq kurrë dorë nga liritë dhe idealet e mia dhe do të vazhdoj betejën time. Prandaj, u thashë “shkoni sa më parë aty ku doni të shkoni”. Unë do të mbroj të drejtat e mia. Unë kam hapur gjyq në Gjykatën e Parisit dhe do të punoj natë e ditë për transparencën e këtij procesi që është i bazuar tërësisht në korrupsionin dhe lobimin e Ramës dhe Sorosit.

TODD WOOD: A jeni kontaktuar nga diaspora jashtë vendit?

SALI BERISHA: Kam mbështetje të fuqishme prej tyre. U jam shumë mirënjohës. Unë kam përfaqësuar shqiptarët për dekada dhe patjetër që diaspora është shumë e motivuar për të gjetur të vërtetën, për të siguruar transparencë. Kjo është shprehur që nga maji deri tani. Asnjë provë nuk ka rrjedhur dhe as nuk është demonstruar. E di që kanë dosje, por probleme është se ato janë të falsifikuara. Unë ua kam kërkuar të më tregojnë prova. Jam i gatshëm të marr vendime kundër vetvetes. Megjithatë, asnjëherë nuk do të pranoj t’i përulem një mafieje të rrezikshme.

TODD WOOD: Faleminderit për kohën tuaj. Do të flasim së shpejti për zhvillimin e ngjarjeve.

SALI BERISHA: Faleminderit. Ju uroj një vit të mbarë.