SHBA-ja dhe Rusia nuk janë më afër zgjidhjes së ngërçit të tyre strategjik pas bisedimeve në Zvicër, me Uashingtonin që kundërshton çdo kufizim për zgjerimin e NATO-s dhe Moskën që këmbëngul se blloku nuk duhet ‘kurrë’ të përfshijë Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Takimi në Gjenevë mes Zëvendës Sekretares amerikane së Shtetit, Ëendy Sherman dhe zëvendësministrit të Jashtëm rus Sergej Ryabkov zgjati të hënën për më shumë se shtatë orë. Në qendër të tij ishte një propozim që Moska i dërgoi SHBA-së muajin e kaluar dhe u bë publik më 17 dhjetor, duke këmbëngulur në frenimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe vendosjen e armëve sulmuese në kufijtë rusë.
“Për ne, është absolutisht e detyrueshme të sigurohemi që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s..” – u tha Ryabkov gazetarëve të hënën. E njëjta gjë vlen edhe për ish-republikën sovjetike të Gjeorgjisë, shtoi ai. Kërkesa e panegociueshme e Moskës është që NATO të ndryshojë platformën e saj të vitit 2008 që hapi derën për anëtarësim për të dy vendet, shtoi diplomati.
Shtetet e Bashkuara janë të hapura për të diskutuar vendosjen e raketave të saj në Evropë dhe madhësinë dhe shtrirjen e stërvitjeve ushtarake të NATO-s në kontinent, por çdo kufizim për zgjerimin e NATO-s është një ‘jo e prerë’, u tha Sherman gazetarëve në një konferencë të veçantë shtypi.
Uashingtoni ‘nuk do të lejojë askënd që të mbyllë derën e anëtarësimit në NATO për askënd’, tha ajo.
Në vend të kësaj, ajo u përqendrua në Ukrainë, për të cilën SHBA pretendon se është nën kërcënimin e një pushtimi rus. Sherman tha se Rusia duhet të tërheqë trupat që supozohet se janë grumbulluar në kufirin e Ukrainës në një lëvizje që do ulte tensionet dhe renditi sanksione financiare dhe të tjera që SHBA-ja është e gatshme t’i vendosë Moskës nëse ndodh një pushtim.
Ryabkov u tha gazetarëve se ai i shpjegoi koleges së tij se nuk ka plane për të pushtuar Ukrainën dhe nuk ka pasur kurrë. Rusia po stërvit trupat e saj në territorin e saj sovran dhe nuk ka asnjë bazë për ta përshkruar atë si një ‘përshkallëzim’, nënvizoi ai. Sa i përket sanksioneve, ai tha se Perëndimi ‘e ka humbur artin e marrëveshjeve’ dhe është reduktuar në kërcënime me sanksione dhe ultimatume.
Pa garanci ligjërisht të detyrueshme për NATO-n, asgjë tjetër nuk ka rëndësi, shpjegoi ai.
Ka ende një shans që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje. Ryabkov dhe Sherman do të takohen sërish të mërkurën në një format të zgjeruar që përfshin përfaqësues të NATO-s, dhe sërish të enjten në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 13 janar.