Vendosni fjalën kyçe....

Endri Hasa zbardh qëndrimin e tij në Kryesi: Ata erdhën për të na vrarë, kush erdhi për gjak nuk ka vend më në PD


Deputeti i Partisë Demokratike Endri Hasa, ka zbuluar qëndrimin e tij në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë së kësaj force politike, ku u mor vendimi për përjashtimin nga partia të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetësve të tij.

Në një postim në “Facebook”, Hasa e ka quajtur të vështirë vendimin për përjashtimin e Berishës, por sipas tij demokratët nuk munden më të fshihen pas gishtit pas protestës së 8 janarit.

Duke iu referuar grupit të Berishës, Hasa thotë se “ata erdhën për të na vrarë” dhe se as kryeministri Edi Rama nuk ka arritur deri këtu. Këta persona sipas tij nuk kanë më vend në parti.

“Do të ishte e vështirë për mua por edhe për të gjithë kolegët të përballeshim me vendime për përjashtimin apo pezullimin e funksionarëve apo ish-funksionarëve që kanë mbajtur detyra të rëndësishme në këtë parti. Por pas 8 Janarit, s’mund të fshihemi pas gishtit. Ne nuk mund të jemi përbashkues me ata që të fusin shkopinj nën rrota.

Ata kanë sot për qëllim vetëm që të pengojnë axhendën tonë politike kundër qeverisë dhe rikthimin e PD në pushtet. Pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë ishin dëshmimtarë okularë të asaj që ndodhi në 8 Janar. Ata erdhën për të na vrarë, dhe ne vazhdojmë të diskutojmë për t’u ulur me të njëjtën tryezë dhe për të ndarë vendimarrje të përbashkët? Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu. Ata erdhën të organizuar për të dhunuar dhe për të vrarë, ne të mendohemi? Nuk bëhet politikë me dhunën, më 8 janar mjetet politike mbaruan!

Në 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar. PD është parti perëndimore dhe ne duhet të distancohemi përfundimisht nga të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë këtë. E kam thënë që në mbledhjet e shkuara, që gjërat nuk zgjidhen duke i ardhur gjësë anash e anash, kur gjëja duhet zgjidhur në kohë. Italianët thonë ‘duhet këputur koka e dëmit, po nuk ia këputëm kokën demit, do të kemi pasoja të tjera’. Unë s’mund të pajtohem me njerëz që nxiten dhe frymëzuan dhunë në 8 janar! Ata nuk janë kurrsesi demokratë, rruga jonë me ta është ndarë njëherë e përgjithmonë. Nëse kjo është partia e tyre, kjo nuk është partia ime. Kush ka hyrë në oborr në krah të atyre që mbanin hunj dhe leva ka damkën e kriminelit, jo të demokratit. Vendimet sot duhet të jenë shumë të forta. As Edi Rama s’ka arritur të shkojë deri këtu. Kush erdhi për gjak, nuk mund të ketë vend në këtë parti, sot dhe kurrë.”– thotë Hasa.