Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka gjobitur me 2 milionë lekë të reja kompaninë “Bankers Petrolium Albania LTD”, së cilës i është pezulluar gjithashtu aktiviteti.
Në një njoftim për mediet, IKMT thotë se subjekti nuk ka respektuar kushtet e Lejes së Mjedisit për largimin e mbetjeve të rrezikshme.
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka vijuar punën për mbikqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndëshkimin e çdo ndërhyrje të paligjshme me pasoja në mjedis.
Në ushtrim të përgjegjësive të veta, IKMT pas ushtrimit të kontrollit në subjektin ‘BANKERS PETROLIUM ALBANIA LTD’ Fier, ka konstatuar që subjekti nuk ka respektuar kushtet e Lejes së Mjedisit për largimin e mbetjeve të rrezikshme dhe si rrjedhojë ka kontaminuar zonën. Ndaj subjektit është vendosur masa administrative dënim me gjobë në vlerën 2 000 000 lekë dhe është pezulluar aktiviteti.”- thuhet në njoftimin e IKMT-së.