Presidenti i Republikës Ilir Meta gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut ka zhvilluar një takim edhe me Kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Meta shprehet se çelja e negociatave me BE-në të të dyja vendeve dhe liberalizimi i vizave për Kosovën sjellin stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti thekson se rëndësi ka respektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve sipas standardeve më të avancuara në Maqedoninë e Veriut.
“Takim vëllazëror dhe bisedë e hapur me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Kënaqësi të vlerësonim rëndësinë e thellimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat, të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve tona, veçanërisht të bashkëpunimit ndërparlamentar.
Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë.
Domosdoshmëri zbatimi i plotë dhe jetësimi integral i Marrëveshjes së Ohrit, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.
Me rëndësi respektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, sipas standardeve më të avancuara europiane, si dhe pjesëmarrja më e madhe dhe më cilësore e tyre, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut”-shkruan Meta.