Vendosni fjalën kyçe....

Programi për Sportin, Rama: Kemi dy programe me 3 komponentë, të mbushim boshllëkun mes orës së fundit të mësimit dhe orës së parë të fëmijëve në shtëpi


Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një takim me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e arsimit, për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla e universitete.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se bëhet fjalë dy programe por me 3 komponentë: Programi Kombëtar i Sportit në Shkolla dhe Programi Kombëtar i Arteve dhe Zejeve në shkollë ku përfshihet edhe teknologjia.

“Është një takim disi i veçantë nga formati, por është i domosdoshëm për të adresuar nevojën e një angazhimi të plotë të të gjithë juve që jeni këtu, veçanërisht të gjithë pjesës që është në panel për të nisur me këmbë të mbarë programin e sportit, duke u përpjekur sëbashku ta çojmë në një nivel tjetër atë që nisëm me rikthimin e orëve të edukimit fizik në shkollë pas një periudhe asgjësimi të plotë të çdo ushtrimi fizik në shkolla, një absurd i panjohur në asnjë vend të botës sot por që ishte realiteti ku ne e gjetëm sportin në shkolla dhe që duhet tani ta çojmë më tutje me një organizim shumë më profesional, shumë më efikas, shumë më masiv dhe me shumë më tepër impakt në jetën e Komunitetit.

Janë tre programe, më saktë dy programe por me 3 komponentë.

Programi Kombëtar i Sportit në Shkolla dhe Programi Kombëtar i Arteve dhe Zejeve në shkollë ku përfshihet edhe teknologjia natyrisht, të cilat synojnë të adresojnë problemin e madh shoqëror dhe familjar të boshllëkut midis orës së fundit të mësimit dhe orës së parë në shtëpi. Është një boshllëk i madh shumë, sidomos në periferi, sidomos në bashkitë e vogla ku fëmijët dhe për të rinjtë nuk ka pothuajse fare aktivitet të organizuar në vijimësi që t’u japë mundësi që në këtë boshllëk të kenë një mundësi edukimi, një hapësirë që të ndihmon për mirëzhvillimin e tyre, për arsimin e shqisave të tyre, rritjen dhe zhvillimin e talenteve të tyre, qoftë nëpërmjet sportit, aktivitetit krijues, zejeve që janë një komponent jashtëzakonisht i munguar, në një kohë kur siç e shohim të gjithë në shtëpitë tona dhe siç e sheh çdo mësues në mjedisin e shkollës, përqendrimi i fëmijëve është gjithnjë e më i madh tek elektronika dhe gjithmonë e më i munguar në pjesë të tjera shumë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme të jetës së njeriut.”- tha Rama.