Në mbledhjen e sotme me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e arsimit, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje bashkive që të evidentojnë hapësirat e lira në juridiksionin e tyre, ku mund të ngrihen qendrat olimpike të qyteteve, në mënyrë që të masivizohet sporti tek të rinjtë.
Gjatë fjalës së tij hodhi akuza të forta në drejtim të klubeve dhe drejtuesve, duke konsideruar absurde që taksat e shqiptarëve të shkojnë për evazion fiskal dhe huliganizëm.
Qeveria shqiptare akordoi një fond të posaçëm për zhvillimin e sportit, por nga ky bonus prej 5 milionë eurosh, nuk do të përfitojë futbolli profesionist.
“Mbase ju është dukur si një ushtrim burokratik, përderisa dhe Bashkia e Tiranës nuk i ka sjellë. Besoj se ky takim na jep ambicien për këtë program jashtëzakonisht të rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, kundër atyre hijeve që vijnë vërdallë shkollave përmes ofertës së vesese. Të mirat e këtij programi janë të panumërta, por varen nga ne, se sa tërheqës do të jetë. Unë kam qenë me nxënësit e shkollave të mesme dhe kërksa për tu mbështetur nga strukturat e pushtetit vendor dhe qeveria është insistuese.
Na u takon ne t’ua japim mundësinë. Fondi është i konsiderueshëm dhe organizimi duhet të jetë domethënës. Jo mblidh njerëz, jepi një top dhe u kry. Të krijojmë rrjetin e skuadrave, rrjetin e ekipeve shëndetësore, strukturat e bashkisë dhe qeverisë dhe të bëjmë me këtë program një “boom” për krijimin e një hapësire sociale për mijëra fëmijë, të rinj dhe të reja. Është shumë fisnik si objektiv, është mundësia për çdo bashki për të rritur sipërfaqet sportive. Do t’i sugjeroja kryetarëve të bashkive për të projektuar një qendër sportive në territorin e tyre, me më shumë se dy fusha, një qendër olimpike në modelin e qendrës olimpike të Korçës.
Për të pasur një qendër ku mund të materializohen momentet kulmore të këtij aktiviteti, por edhe ku mund të stërviten ekipet e bashkisë. Të fillojmë hap pas hapi. Na duhet të krijojmë një qendër olimpike që t’i jap mundësi federatave të përfshihen dhe na duhet një rishikim nga ju si bashki për qasjen për sportin. Janë bërë disa hapa detyrues ndaj bashkive, por bashkitë vazhdojnë të hedhin kot lekë për futboll, kot fare. Harxhojnë lekët e taksapaguesve për futboll, për ekipe private pa asnjë arsye në botë. Nuk e bën asnjë bashki e planetit këtë, lekë me humbje që nuk ka asnjë vlerë. Duhet krijuar një qasje tjetër, jemi të gjithë në të drejtën e zotit që të financoni sportin jo profesionistë për të rinjtë. Jo të financoni skuadra futbolli privat, ku ju vetëm hidhni lekë dhe nuk merrni mbrapa asgjë, veç në të shumtën e herës turpin e sportit dhe të bashkisë, me imazhe që marrin rrugët e botës siç ndodh gjithmonë.
Nuk mundet që me taksat e taksapaguesve të stimulohet huliganizmi, rrugaçëria, pisllëku, nuk mundet. Bashkitë mund të hynë patjetër në bashkëpunim me klube futbollli, por për të marrë mbrapsh investimin. Ç’a do me thënë kjo, jep para për futbollin për të gjëmuar topin ca njerëz që sjellin nga mbrapa vetëm rrugaç. Kujt i duhet kjo? Është një gjynah i madh që duhet të mbarojë.”- tha Rama.