Deputetët e zyrtarët e PD-së që u përjashtuan në orët e para të mëngjesit pas një mbledhjeje maratonë e kanë hedhur poshtë vendimin.
Sipas tyre PD-ja nuk ka ende kryetar dhe as kryesi e struktura të tjera pas Kuvendit të 11 dhjetorit e referendumit të 18 dhjetorit. Ata kanë theksuar se Komisioni për Rithemelimin e PD-së do vijojë detyrën deri më 22 mars, datë e përcaktuar për zgjedhjet e reja në parti.
Po kështu ata deklarojnë de vendimi për djegien e mandateve është marrë për t’i lënë Edi Ramës mundësinë të kapë të gjitha pushtetet.
Sipas tyre vendimi në fjalë e vendimet e tjera janë qesharake e nuk kanë asnjë vlerë. Ata i bëjnë thirrje Bashës që të dalë në bazën e PD-së për të parë si do e presin demokratët aty.
Tritan Shehu
“PD nuk ka kryetar, kryesi a struktura të tjera. Çdo gjë tjetër është jashtë realitetit, është në vendim nul. Një grup njerëzish mund të mblidhet kur të dojë, dhe nëse vazhdojnë gjithë natës mund të kenë dhe çrregullime psikologjike, nuk ekzistojnë të tilla gjëra. Çdo njeri mund të thojë që unë marr x vendim, por është një qenie jashtë realitetit. Grupi i rithemelimit do të vazhdojë të gjitha detyrat që iu la nga Kuvendi, deri në 22 Mars, kur pritet që të jenë dhe zgjedhjet e brendshme. Kuvendi i datës 11 Dhjetor është i vetmi Kuvend i ligjshëm, të gjitha të tjerat janë veprime në kundërshtim me realitetin. Nuk merrem fare me persona që mblidhen si skutha gjatë natës, pranova të prononcohem, se është e çuditshme e gjitha kjo që ka ndodhur. Unë nuk jam përjashtuar as përkohësisht dhe as përgjithësisht, unë jam absolutisht një nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-SË, unë nuk merrem me komedi, që tingëllojnë si groteske. I shoh me përbuzje këto veprime, që kanë vetëm një qëllim, që të shkatërrojnë opozitën shqiptare. Edhe djegia e mandateve është bërë qëllimisht, për ti lënë fushë të lirë Edi Ramës që të bëjë se çfarë të dojë me Kushtetutën.”
Aldo Bumçi
“Ky është fundi i pluralizmit në Shqipëri, nëse kryetari i opozitës mbron godinën me polici nuk ka më demokraci. Përballë ka një opozitë të vërtetë, që mbushi stadiumin, referendumi, protestat. Nuk pres unë që të njoftohem nga askush, nuk i njoh ata që kanë marrë këtë vendim. Keni parë ju që Lulzim Basha të dalë dhe të takojë njerëzit, ai nuk ka më asnjë lidhje me demokratët. Ai me policinë e Edi Ramës mban një zyrë, mban një godinë, dhe thotë unë jam opozita. Për fat kjo nuk ndodhi, pasi ne u çuam në këmbë. Ai nuk ka forcën dhe tagrin që të vendosë se kush do të përjashtohet. Keni parë ju kryetarë partie që nuk njeh kryetarët e degëve, e dini ju se cili ishte çmimi që duhet të paguante Lulzim Basha, ishte që të votëbesohej. Ishte më e rëndë për të që të vetëbesohej, sesa të bënte këtë rrëmujë. Iu suli Policinë e Shtetit demokratëve, janë 12 të plagosur që morën mjekim në spital, asnjë i lënduar nga ata brenda godinës, apo nga policia e rendit, dhe shumë mirë që nuk ndodhi, sepse nuk ishte qëllimi ynë. Me një votëbesim të thjeshtë mund të zgjidhej kjo krizë në PD. Demokratët ia kanë hequr atyre çfarëdolloj përfaqësimi.”
Luan Baçi
“Ne e njohim statutin , këto janë veprime qesharake dhe askush nuk I merr më seriozisht. Kuvendi është organi më i lartë dhe vendimet e tij janë të patjetërsueshme. Vetëm një Kuvend tjetër mund të marrë vendime. Një kryetar që nuk është më kryetar si ka mundësi të bëjë një shoë të tillë, njerëz që janë mbyllur në kullë dhe nuk përballen me demokratët dhe janë bërë sinqerisht qesharakë. Nuk ka asnjë lajm, asnjë vendim! Marrin vendime për hesap të tyre dhe për tu vetkënaqur. Ata nuk mbledhin dot strukturat e tyre nëpër degë, dhe nuk e di si merren këto vendime. Po përpiqen të shkatërrojnë punën e Partisë Demokratike por nuk do ja arrijnë. Basha është një deputet i thjeshtë i PD, ai s’ka tager dhe as kompetencë të marrë vendime e jo më të marrë masa apo të jape shanse.”
Belind Këlliçi
“Ish-kryetari i partisë që blindoi humbjen në PD, nga xhelozia se nuk u bë dot lider, i rezistoi gjumit deri në të gdhirë të ditës së sotme për të përjashtuar e pezulluar në grup kritikët e tij. Çudi që s’ka ende të internuar apo pushkatuar! Zbrit në bazë dhe shiko si do të të presin. Ne kemi zgjedhur demokratët e bazës dhe ata të sakrificave, kurse ti Edi Ramën dhe bashkëqeverisjen!”