Vendosni fjalën kyçe....

Video-mesazhet e dy zyrtareve në PD: Nuk jam ndjerë kurrë e kërcënuar në jetë si në 8 janar, distancohemi përgjithmonë nga dhuna

Drejtuesja e zyrës juridike në Partinë Demokratike, Marinela Ziu, përmes një video-mesazhi ka treguar rrënojat e zyrës së saj pas protestës së 8 Janarit si dhe përjetimet personale të asaj dite.

Ziu u shpreh se kurrë në jetën e saj nuk është ndjerë më e kërcënuar se sa në 8 janar.

“Unë quhem Marinela Ziu. Prej 9 vitesh drejtoj zyrën juridike në Departmantin Anti-Korrupsion në Partinë Demokratike.

Mesditën e 8 janarit nuk kam për ta harruar kurrë, atë urrejtje të një grupi njerëzish që silleshin si bandë kriminale që nuk ka asnjë lidhje me demokratët dhe që ulërinin duke kërkuar vdekjen e vajzave, grave, djemve dhe burrave që ishin në krye të detyrës në selinë e partisë. Në jetë nuk jam ndierë kurrë e kërcënuar apo e frikësuar, fatkeqësisht u ndjeva ashtu në selinë e shtëpisë sonë të përbashkët. 8 janari shënon distancimin total të Partisë Demokratike nga dhuna si një mjet politik brenda vetes edhe me kundërshtarin sepse forca jonë është fjala, forca jonë janë idetë.”- thotë Ziu në videomesazhin e saj.

 

Në një tjetër videomesazh, anëtarja e Kryesisë së PD-së, Taulanda Jaupi gjithashtu rrëfen përjetimin e saj. 

Ajo thotë se në 8 janar pa se dëshpërimi i një pakice u kthye në dhunë verbale kundër Partisë Demokratike. Sipas Jaupit, ish-kryeministri Sali Berisha përdori forcën për t’iu imponuar shumicës së demokratëve.

“Në 8 janar pash se si dëshpërimi i një pakice u kthye në dhunë të verbër kundër Partisë Demokratike, grave burrave dhe të rinjve brenda selisë. Pash Sali Berishën të përdorë forcën për t’iu imponuar shumicës së demokratëve, që nuk duan që partia e tyre të shndërrohet në një bunker për interesat e Sali Berishes.

Dhuna nuk është mjeti politik i demokratëve, prandaj Partia Demokratike ndahet nga 8 janari dhe organizatorët e tij. Partia Demokratike ndahet nga e shkuara për të zgjedhur të ardhmen.”– shprehet Jaupi.